Rusët kanë vazhduar edhe gjatë së enjtes ta bombardojnë masivisht rajonin Kherson në Ukrainë, raportoi BBC-ja. 17 granatime u regjistruan, ndërsa u tha se ka vdekur 1 person e disa të tjerë janë plagosur.
Kryetarja e administratës ushtarake të qytetit, Halyna Lugova, deklaroi se nga 20 nëntori deri më 24 nëntor, në Kherson u regjistruan 62 granatime.
“Rusët po vazhdojnë të kërkojnë qytetin që e humbën ditë më parë. Ata qëlluan një kopsht fëmijësh, një qendër energjetike, ndërtesa të larta dhe shtëpi private”, tha Lugova.
Autoritetet ukrainase iu kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga një zonë e Khersonit, me qëllim që t'iu ikin sulmeve.
Tash e disa javë, Ukraina ka probleme të mëdha me furnizimin me energji elektrike.
Ushtria ruse ka shkatërruar dhjetëra stacione të shpërndarjes së energjisë, duke i lënë qindra-mijëra banorë pa furnizim. Për këtë ka shprehur shqetësim serioz edhe presidenti Volodymyr Zelensky. Ai tha ditë më parë se dimri do të jetë i vështirë, nëse do të kalohet pa energji dhe pa ngrohje.