Rreth 8.000 pjesëmarrës të “Protestës kundër diktaturës” në Beograd kanë nisur protestën në orët e mbrëmjes para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në Beograd.
Protestuesit po mbajnë parulla si “RTS-Nuk i dimë të gjitha”, “Nuk e japim Serbinë”, “Poshtë diktatura”, “Dilni jashtë” dhe të tjera.
Në protestë po marrin pjesë kryesisht të rinj, të cilët janë të pakënaqur me fitoren e Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet presidenciale.
Ata kanë kërkuar edhe ndryshime në udhëheqjen e televizionit publik serb, RTS, ndërsa kanë protestuar edhe para ndërtesës së gazetave Informer dhe Politika.
Protesta po kalon kryesisht e qetë, ndërsa nuk është vërejtur prani e policisë para ndërtesës së qeverisë serbe.
Ndryshe, në thirrjen për protestë e cila është publikuar në rrjetet shoqërore, është apeluar që masa të qëndrojë e qetë dhe të mos gjuajë institucionet.
Raportohet se protesta të ngjashme sot ka pasur edhe në qytetet tjera të Serbisë, si Novi Sad, Nish.