Gjatë viteve nëntëdhjetë, talebanët shfrytëzuan situatën dhe morën kontrollin e një vendi të dërrmuar nga lufta me Bashkimin Sovjetik. A do të veprojnë njëjtë edhe sot?
Çfarë bëni nëse e shihni se bota po ju shembet para syve? A arratiseni? Apo dorëzoheni?
Këto pyetje kanë ngatërruar së fundmi mendjen e shumëkujt derisa talebanët kanë nisur marshimin e tyre për kthimin e kontrollit të Afganistanit, shkruan revista britanike “New Statesman”.
“Gjatë një hiseje të mirë të jetës sime si i rritur, intervenimi perëndimor në Afganistan ka përcjellë punën time. Kishte një kohë në fillim të viteve 2010 kur po u ligjëroja në Yale punëtorëve të ndihmës dhe veteranëve nga Afganistani”, tregon Adam Tooze në shkrimin e tij analitik. “Për njëfarë kohe, koleg e kisha edhe Stan McChrystalin, ish-komandant i forcave amerikane në Afganistan. Gjenerali David Petraeus erdhi për drekë”. Megjithëse Tooze shkruan se ishte mahnitur me historinë gjatë pjesës më të madhe të jetës, asnjëherë nuk e kishte parë luftën as për së afërmi. Por ai kujton se numri i lartë i amerikanëve të vrarë në Afganistan do të tregonte rëndësinë që kishte kjo luftë për shoqërinë amerikane. Madje edhe në aspektin financiar.
Fushëbetejë e madhe e Luftës së Ftohtë
Por Tooze mendon se ia vlen që 20 vjetët e fundit të ndërhyrjes perëndimore në Afganistan të analizohen në kontekstin e një shekulli të përpjekjes së kontestuar dhe shpesh të dhunshme për modernizimin e vendit.
“Revolucioni i vitit 1978, gjatë të cilit u rrëzua Qeveria e presidentit Mohammed Daoud Khan nga Partia Demokratike Popullore e Afganistanit, intervenimi sovjetik në 1979 dhe sponsorizimi perëndimor i rezistencës e ktheu Afganistanin në një fushëbetejë në fund të Luftës së Ftohtë. Ishte një konflikt i përmasave të hatashme”, shkruan Tooze në revistën politike britanike.
Ai është bazuar në disa të dhënave, sipas të cilave, numri i përgjithshëm i njerëzve të vrarë ndërmjet viteve 1978-87 ishte 870 mijë, megjithëse ka pretendime që ngulmojnë se numri i viktimave ishte dyfish më i lartë.
“Përmasat e dhunës në vitet 1980 ishin larg më të mëdha se çfarëdo që do të pasonte”, shkruan Tooze, duke njoftuar se në vitin 2019 më se 0.078 për qind e popullit afgan u vra në beteja ndërmjet Qeverisë dhe forcave talebane. Në 1984, 1.35 për qind e afganëve ishin viktimë e luftës brenda një viti të vetëm. Nëse lidhet me numrin e popullsisë, shifra është 19 herë më e lartë se shkalla aktuale e viktimave.
Si në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore
“Nuk u referohem këtyre të dhënave për të justifikuar ose relativizuar dhunën që pasoi. Më shumë njerëz janë vrarë në Afganistan më 2019 se çdo vit tjetër pas përfundimit të luftës afgano-sovjetike; më shumë se gjatë pushtimit të vendit prej talebanëve në fund të viteve nëntëdhjetë”, shkruan Tooze. Por përmasat e kataklizmës së viteve 1980 janë të frikshme. Humbjet, ndërmjet shtatë dhe dhjetë për qind të popullsisë së paraluftës, janë të ngjashme me shifrat e atyre që vuajtën në Evropën Lindore dhe Ballkan në Luftën e Dytë Botërore. Vetëm luftërat me shifra të larta viktimash kanë ndikim të theksuar demografik. Në vitet 1980, popullsia e Afganistani më nuk po shënonte rritje”.
Sa për krahasim, periudha e zotëve të luftës dhe talebanëve e viteve nëntëdhjetë ishte relativisht më pak vdekjeprurëse. Kjo nuk nënkupton se ishin kohë të mira, sidomos për gratë afgane që kishin marrë pjesë në emancipimin politik dhe kulturor në qytete dhe që kishin nisur të përjetonin mizogjininë nën regjimin taleban, shkruan Tooze.
Nëse merren për bazë shifrat e vrasjeve, me ndërhyrjen perëndimore në vitin 2001 vazhdoi rënia e harkut të dhunës. Vitet 2003 dhe 2004 ishin më paqësorët që shënoi Afganistani prej viteve shtatëdhjetë.

Sfidat e mëdha socio-ekonomike
Duke pasur parasysh sfidat e mëdha socio-ekonomike të Afganistanit, shumëkush do të mund të mendonte se zhvillimi ekonomik do të duhej të ishte prioriteti më i lartë. Në fakt, shkalla e zhvillimit ushtarak kah ai civil do të niste nga dhjetëshi deri të njëshi. Dhe shtetet perëndimore derdhën gjithë ato fonde në një vend kaq të vogël, pyet Tooze. “Ku shkuan ato para?”.
“Një përgjigje thotë se dhjetëra miliarda dollarët u përpinë prej korrupsionit dhe ekonomisë së zezë. Afganët e kamur u bënë pronarë të mëdhenj tokash e pasurish në shtetet e Gjirit”. Dhe nëse do të merreshin për bazë fondet që janë investuar dhe shkalla ekonomike e vendit, i bie se zor të mund të thuhet se vendi ka një ekonomi, ani pse në terren ekzistojnë “Ekonomi” të tregtarëve urbanë dhe zejtarëve e komuniteteve të mëdha të bujqve, por ata nuk ia dalin të bëjnë qarkullim ekonomik qysh do të mund të merrej me mend në një ekonomi moderne.
Opiumi vazhdon të jetë produkti më i çmuar dhe qysh prej fillimi të viteve 2000, shkalla e kultivimit ka nisur të ngrihet në mënyrë progresive. Vetëm në vitin 2017, opiumi ka gjeneruar të ardhura në vlerë prej 1.5 miliard dollarësh për fshatarët afganë, shkruan Tooze në “New Statesman”.
Megjithatë është ngritur jetëgjatësia e afganëve. Është shënuar rënie e shkallës së vdekshmërisë së bebeve dhe grave u është ofruar më shumë kujdes shëndetësor për fëmijët e tyre. Prej 30 mijëve sa ishin të regjistruar në universitetet afgane në vitin 2003, shifra është ngritur në 180 mijë studentë në 2018. Prej tyre, 49 mijë janë vajza afgane. Dhe kudo në botë, edhe rinia afgane është e varur prej celularëve.
“Por pavarësisht prej shenjave të ngritjes ekonomike dhe modernizimit të viteve të kaluara, nuk ka pasur sukses në çrrënjosjen e varfërisë”, shkruan Tooze, duke kujtuar se si mjerimi është thelluar viteve të fundit për shkak të ndaljes së ngritjes ekonomike. “Sot pothuajse gjysma e popullsisë afgane është zyrtarisht e kategorizuar si e varfër”.
Dështimi i programeve të stabilizimit
Revista britanike përshkruan përmbledhtas gjendjen e shtresës politike afgane.
Ashraf Ghani, president i Afganistanit, është antropolog kulture që kishte kryer studimet e doktoratës në fillim të viteve tetëdhjetë në Columbia me tezën e titulluar “Prodhimi dhe dominimi: Afganistani, 1747-1901”. Pasi kishte marrë shumë detyra akademike në Shtetet e Bashkuara, më 1991 kaloi në Bankën Botërore. Dhe si ministër i Financave në qeverinë e presidentit të atëhershëm Hamid Karzai, Ghani ndërmori në fillim të viteve 2000 një program për zhvillimin rural. Dhe në kohën kur kishte përqendrim të forcave perëndimore dhe afgane kundër kryengritjes, nxitja e fermerëve ishte pjesë e kësaj strategjie për stabilitet në vend, shkruan “New Statesman”
Por të dhënat në terren po dëshmonin se situata ishte më keq se mendohej, kujton Tooze. Derisa pjesa tjetër e ekonomisë afgane po shënonte ngritje të shpejtë ndërmjet viteve 2001 dhe 2013, rezultati në bujqësi mezi po tregonte shenja të ngritjes.
Dështimi i Qeverisë hapi terren që talebanët të shtrinin ndikimin në zonat rurale të vendit në mjerim të madh. Krejt kjo do të përkeqësohej edhe më shumë prej tronditjeve natyrore. Më 2018, Afganistani u godit nga thatësia e madhe. Reshjet nisën vetëm më 2019. Por më 2021, në veri dhe perëndim të vendit, ku dy deri në tre milionë varen prej reshjeve për bujqësinë, përsëri pasoi katastrofa natyrore. Dhe Këshilli Norvegjez i Refugjatëve paralajmëron se në kohën kur pritet tërheqja e plotë e forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më shumë se 12 milionë afganë rrezikojnë të përballen me nivele pasigurie të lartë ushqimi.
Kthimi i talebanëve
Dhe javëve të fundit forcat talebane po i marrin me radhë krahinat, duke sulmuar së pari kryeqytetet e tyre, derisa forcat afgane të sigurisë po tërhiqen kokulur. Me Afganistanin në krizë, talebanbët duket se po kthehen,. Edhe njëherë po shfrytëzojnë krizën e madhe.
“Por në vitet 1990 morën kontrollin e një vendi të dërmuar nga lufta me Bashkimin Sovjetik. Sot Afganistani është ende i varfër, por nuk është në kushtet e para 25 vjetëve. Kabuli ishte një qytet i rrënuar me një popullsi prej rreth një milion banorësh”, shkruan Tooze në “New Statesman”.
“Sot shtyhet me metropolet me të ardhura të ulëta, mbushur me zyra të larta dhe blloqe banesash, me një popullsi zyrtare prej më shumë se katër milionë banorësh. Çfarë lloj regjimi do të mund të vihej nga talebanët në një qytet të tillë? Çfarë të ardhme mund t’i ofrojë grupi Afganistanit dhe popullsisë në fshatra? Shumëkush mund të pretendojë se talebanët po llogarisin me ngulm në Pekinin. Afganistanit i duhen të gjithë miqtë që mund t’i afrojë”.
Përktheu: Rexhep Maloku