Flakët në Itali kanë marrë sërish hov nga erërat e nxehta që frynë të enjten në jug të Italisë, përderisa Sicilia besohet se ka regjistruar temperaturën më të lartë në gjithë historinë e Evropës – me 48.8 gradë Celsius – ndonëse kjo shifër ende pritet të verifikohet nga Organizata Botërore për Meteorologji
Zjarret kanë marrë sërish hov si pasojë e erërave të nxehta që kanë fryrë në jug të Italisë gjatë së enjtes, një ditë pasi një qendër monitorimi në Floridia të Sicilisë raportoi evidentimin e temperaturës prej 48.8 gradësh Celsius – shkallë kjo që besohet të jetë më e larta e shënuar në historinë e Evropës.
Temperatura rekord e së mërkurës, e cila ende duhet të verifikohet zyrtarisht nga Organizata Botërore për Meteorologji (WMO), është raportuar afërt qytetit Syracuse, në juglindje të ishullit të Sicilisë, të cilin e ka mbërthyer anticikloni i njohur me emrin “Lucifer”.
“Po qe se e dhëna konfirmohet, atëherë do të jetë shkalla më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë, duke e kaluar rekordin e mëhershëm prej 48 gradësh të matur në Athinë 10 qershorin e 1977-s”, ka shkruar meteorologu Manuel Mazzoleni në uebfaqen “3Bmeteo.com”.
Temperaturat e larta parashihet të mbretërojnë në vend edhe gjatë fundjavës. Si pasojë e kësaj, Ministria italiane e Shëndetësisë ka lëshuar alarmin e kuq, më të lartin e paralajmërimit, në tetë qytete, përfshirë edhe Romën. Kryeqyteti italian ka regjistruar temperaturën deri në 40 gradë Celsius nën hije gjatë pasdites. Mbrojtja Civile e shtetit ka ngritur dy stacione të asistencës afër Koloseumit dhe Kështjellës së Sant’Angelos për t’u ndarë ujë turistëve. Zyra kombëtare e shërbimit shëndetësor në Romë ka telefonuar banorët e moshuar që jetojnë vetëm për të kontrolluar nëse kanë nevojë për furnizime ushqimore apo ilaçe, ashtu që të mos dalin jashtë shtëpive.
Ekipet e zjarrfikësve kanë njoftuar në Twitter se gjatë ditës kanë luftuar kundër më shumë se 500 zjarreve në Sicili dhe Kalabri, me anë të pesë aeroplanëve për shuarje të flakëve. Ata kanë bërë të ditur se situata tani është “nën kontroll” në ishull.
Edhe
Pothuajse të gjitha qytetet italiane në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta
Zjarret kanë pasur ndikim fatal, pasi shifra e vdekjeve e ndërlidhur me flakët ka arritur në të paktën katër gjatë javës së shkuar.
Të nxitura nga moti, javëve të fundit zjarret kanë shpërthyer përgjatë pjesës më të madhe të jugut të Evropës.