Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Flakët përhapen në Mesdhe derisa parashikohen temperatura edhe më ekstreme

Me qindra vatra zjarresh po përhapen kudo përgjatë Mesdheut, duke i shtrënguar të evakuohen me mijëra persona dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme materiale derisa ndryshimet klimatike po ndikojnë në ngritjen rekorde të temperaturave.

Vala e vapës tani është përhapur drejt perëndimit, duke shkaktuar zjarre pyjore në Spanjë, ku temperaturat janë ngritur deri në 40 gradë celsius.

Meteorologët parashikuan se temperaturat tepër të larta do të mbizotërojnë gjatë së premtes dhe të shtunës, dhe se pos Spanjës do të godasin edhe Francën.

I nxehti më ekstrem ndër dekada u ka dhënë sërish hov zjarreve në Greqi, që deri më tani kanë shkaktuar së paku tri vdekje dhe kanë shkatërruar mbi 100 mijë hektarë pyje dhe toka bujqësore. Italia ka vazhduar betejën kundër flakëve të premten, pasi anticikloni Lucifer kontribuoi në ashpërsimin e tyre.

Dy ditë më herët, Sicilia raportoi për ngritjen e temperaturës deri në 48.8 gradë celsius, që njëherësh është më e larta e evidentuar ndonjëherë në Evropë. Porse e dhëna ende duhet të konfirmohet zyrtarisht.