Botë

Vala e të nxehtit e gushtit ishte më “intensivja e regjistruar ndonjëherë” në Spanjë

Zjarre ne Spanje

Foto: Associated Press

Një valë 16-ditore e të nxehtit që Spanja e përjetoi në gusht “ishte më intensivja e regjistruar ndonjëherë”, ka njoftuar Agjencia Meteorologjike spanjolle (AEMET), transmeton “The Guardian”

Sipas rezultateve paraprake për valën e të nxehtit të periudhës 3-18 gusht, raportohet se ajo tejkaloi rekordin e fundit, të vendosur në korrik të vitit 2022. Shifrat treguan një temperaturë mesatare 4.6 gradë celsius më të lartë se që ishte në fenomene të tilla të mëparshme, ka njoftuar agjencia në platformën “X”. 

Vala e të nxehtit e gushtit përkeqësoi situatën me zjarre në Spanjë, ndërsa pati shkatërrime të shumta në pjesën veriore dhe perëndimore të vendit. 

Më shumë se 1.100 vdekje në Spanjë janë të lidhura me valën e të nxehtit, sipas një vlerësimi të publikuar të martën nga Instituti i Shëndetit Carlos III. 

Që nga fillimi i regjistrimeve të saja në vitin 1975, AEMET ka regjistruar 77 valë të të nxehtit në Spanjë, me gjashtë prej të cilave 4 gradë celsius ose më tepër mbi mesataren. Pesë prej tyre ishin që nga viti 2019. 

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike po shkakton valë më të gjata dhe më intensive të të nxehtit dhe po ashtu më të shpeshta e të përhapura nëpër botë. 

AEMET tha se një periudhë 10-ditore brenda valës së fundit të të nxehtit, që mbulon 8-17 gushtin, ishte periudha dhjetëditore më e nxehtë e regjistruar në Spanjë të paktën që nga viti 1950. 

Agjencia tha se është “fakt shkencor që verat aktuale janë më të nxehta se në dekadat e mëparshme”. 

“Çdo verë nuk do të jetë gjithmonë më e nxehtë se e kaluara, por ka një tendencë të qartë drejt verave shumë më ekstreme. Çelësi është përshtatja dhe zbutja e ndryshimeve klimatike”, tha AEMET.