Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ushtria e Izraelit thotë se do t’i rrisë sulmet mbi Gazën

Daniel Hagari, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, ka thënë se ushtria e shtetit planifikon të rrisë sulmet në Gaza duke nisur nga sonte (e shtunë).

“Do t’i thellojmë sulmet dhe ta minimizojmë rrezikun për forcat tona në fazat e ardhshme të luftës dhe do t’i shtojmë sulmet nga sonte”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Hagari ka përsëritur thirrjen e Izraelit që qytetarët e Gazës të largohen “në drejtim të jugut për sigurinë e tyre”.

Izraeli ka kryer raketime të shumta në Gaza që nga sulmet befasuese të grupit militant palestinez Hamas ndaj Izraelit dy javë më parë, e që morën jetën e mbi 1400 njerëzve.

Autoritetet palestineze kanë thënë se mbi 4000 persona janë vrarë nga sulmet e Izraelit në Gaza që nga ajo kohë.

Izraeli tashmë ka kohë që ka paralajmëruar nisjen e ofensivës tokësore në Rripin e Gazës.