Një hetim i ushtrisë amerikane ka gjetur se trupat nuk kanë shkelur ligjet e luftës dhe nuk kanë shkaktuar qëllimisht viktima civile në sulmin ajror në Siri më 2019, që vrau dhjetëra persona, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Hetimi u nis si përgjigje ndaj raportit të New York Times ku akuzohet ushtria se mbuloi sulmin mbi një pozicion të grupit të Shtetit Islamik.
Koalicioni shumëkombësh i drejtuar nga SHBA-ja kundër IS-it ka pranuar vrasjet e të paktën 1,417 civilëve nga sulmet ajrore në Irak dhe Siri që nga viti 2014. Por, grupi monitorues “Airwars” beson se shifrat e sakta janë mes 8,192 dhe 13,244.
Sulmi ajror në qytetin lindor Baghuz të Sirisë ndodhi më 18 mars 2019, teksa luftëtarët nga aleanca Forcat Demokratike Siriane mbështetur nga SHBA-ja luftuan për ta kapur bastionin e fundit të grupit të IS-it.
Gjenerali Michael Garrett, që drejtoi hetimin nga Pentagoni, tha në raport se Forcat Demokratike kërkuan mbështetje mbrojtjeje ajrore pas një sulmi të IS-it.
Edhe
Ushtria amerikane godet kampet e Shtetit Islamik në Siri
New York Times raportoi nëntorin e kaluar se raketat goditën një kamp ku gra, fëmijë, të burgosur të IS-it dhe burra të lënduar po strehoheshin, duke vrarë rreth 70 persona.
Por, një zëdhënës i Pentagonit tha të mërkurën se 52 luftëtarë armiq u vranë bashkë me katër civilë – një grua dhe tre fëmijë. 15 civilë të tjerë u lënduan, shtoi ai.