Deri në 40,000 ushtarë të Gardës Kombëtare Ushtarake në SHBA - ose rreth 13% e forcës - nuk e kanë marrë ende vaksinën për COVID-19 dhe me afrimin e afatit të dhënë si obligim për vaksinimin, të paktën 14,000 prej tyre kanë refuzuar kategorikisht dhe mund të përjashtohen nga shërbimi, raportoi AP të shtunën.
Ushtarët kanë kohë deri të enjten për ta marrë vaksinën. Sipas të dhënave të marra nga Associated Press, midis 20% deri në 30% e ushtarëve të Gardës në gjashtë shtete nuk janë të vaksinuar dhe as më shumë se 10% në 43 shtete të tjera.
Udhëheqësit e gardës thonë se shtetet po bëjnë gjithçka që munden për të inkurajuar ushtarët që të vaksinohen brenda afatit kohor. Dhe ata thanë se do të punojnë me rreth 7,000 që kanë kërkuar të përjashtohen nga vaksinimi, të cilat janë pothuajse të gjitha për arsye fetare.
“Ne do t'i japim çdo ushtari çdo mundësi për t'u vaksinuar dhe për të vazhduar karrierën e tyre ushtarake. Çdo ushtar që është në pritje të përjashtimit, ne do të vazhdojmë t'i mbështesim ata gjatë procesit të tyre", tha gjenerallejtënant Jon Jensen. “Ne nuk do të heqim dorë nga askush derisa të nënshkruhet dhe plotësohet dokumenti i ndarjes. Ka ende kohë”.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, vitin e kaluar urdhëroi të gjithë anëtarët e shërbimit - në detyrë aktive, Gardën Kombëtare dhe Rezervat - të merrnin vaksinën, duke thënë se është thelbësore për ruajtjen e shëndetit dhe gatishmërisë së forcës.
Shërbimet ushtarake kishin afate të ndryshme për forcat e tyre dhe Gardës Kombëtare të Ushtrisë iu dha koha më e gjatë për të marrë dozat, kryesisht sepse është forcë e madhe prej rreth 330,000 ushtarësh të cilët janë të shpërndarë gjerësisht në mbarë vendin, shumë në vende të largëta.