Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

UNICEF: Afër 1000 fëmijë të vrarë ose të plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Së paku 972 fëmijë janë vrarë ose lënduar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, bazuar në të dhënat e UNICEF-it.

“Këto janë vetëm shifrat që UNICEF-i ka mund t’i verifikojë. Ne besojmë që ky numër është shumë më i madh”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.

Ajo ka thënë se shumë fëmijë në Ukrainë kanë përjetuar dhunën, plus humbjet që lufta ka shkaktuar në sistemin arsimor.

“Periudha e fillimit të shkollës e cila po afron, tregon se sa shumë kanë humbur fëmijët e Ukrainës. Sistemi i edukimit në Ukrainë është shkatërruar gjithandej vendit. Shkollat janë targetuar apo janë marrë nën përdorim, gjë që i bënë prindërit të pasigurt për t’i dërguar fëmijët e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se 1 në 10 shkolla është dëmtuar ose është shkatërruar plotësisht.

“Të gjithë fëmijët kanë nevojë të shkojnë në shkollë, të mësojnë. Por më shumë se gjithçka tjetër, fëmijët e Ukrainës meritojnë dhe kanë nevojë për paqe”, ka thënë ajo.