Ushtria ukrainase ka publikuar një video në të cilën shihet duke u shkatërruar një helikopter rus në ishullin e Gjarprit afër Ukrainës.
Helikopteri rus dyshohet se kishte fluturuar drejt ishullit për të ndihmuar ushtarët e plagosur në sulmet e së shtunës.
Ushtria ukrainase ka goditur përsëri pozicionet ruse në ishullin e Detit të Zi, i cili ishte pushtuar në ditët e para të luftës, por u shndërrua në simbol të rezistencës ukrainase. Ndërkaq në pamjet satelitore janë konfirmuar luftimet për këtë ishull.
Në një pjesë të këtij ishulli shihet edhe shkronja “Z” që simbolizon rusët në luftë. Pjesa më e madhe e objekteve në ishullin ushtarak janë shkatërruar nga sulmet me dronë.
Beteja për ishullin ka zbehur gjasat e Rusisë që të marrë kontrollin e Detit të Zi. Javë më parë, Ukraina ka fundosur luftanijen “Moskva” të Rusisë, e cila kontrollonte këtë zonë.