Të dielën nuk pati ceremoni për Pashkët Ortodokse në kishën e Lukashvkas, fshat në veri të Ukrainës.
Kisha është shkatërruar pothuajse krejtësisht.
Një kupolë e artë është bombarduar, ndërsa kambanat kanë rënë përtokë.
Ka mbetur vetëm një kryq metali së bashku me vendin për qirinj.
Ushtarët rusë e përdorën kishën afër Chernihivit për ta ruajtur armatimin.
Ukrainasit e bombarduan me qëllim që rusët të iknin.
Banorja Lybov Matro emocionohet kur flet për shkatërrimin e kishës.
“Çfarë shërbimi kishtar? Kishat përreth nesh janë shkatërruar, fshatrat janë bombarduar dhe nuk kemi ku të shkojmë. Kisha ishte e bukur, por është e tmerrshme çfarë ndodhi”, ka thënë ajo.
Kisha i kishte mbijetuar Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të rënda nën Bashkimin Sovjetik kur komunistët shkatërruan objektet fetare.
“Pas luftës ishte në formë më të mirë, mirëpo tani duhet punë e madhe për ta rindërtuar”, ka shtuar ajo.
Festë e zymtë ishte edhe në Bucha.
Ukrainasit pritën në radhë për t’u bekuar nga prifti para kishës kryesore të qytetit, në oborrin e së cilës qindra njerëz u varrosën në varreza masive.
Nga Katedralja e Shën Sofisë në Kiev, presidenti ukrainas është lutur për ditë më të mira për ukrainasit.
“Zot ruaji ukrainasit. Nuk sulmuam askënd, prandaj na mbroj. Nuk shkatërruam shtetet e tjera, prandaj mos lejo të na shkatërrojnë neve. Nuk pushtuam tokë të huaj, prandaj mos lejo të tjerët të na pushtojnë tokën tonë. Ruaje Ukrainën”, ka thënë ai.
Në ditën e Pashkëve Ortodokse, Zelensky ka paralajmëruar vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Vizitën e tyre e kanë mirëpritur ukrainasit në Kiev, të cilët kanë thënë se u duhet përkrahja e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës.
Zelensky ka ofruar pak detaje për bisedimet me zyrtarët e lartë amerikanë, por në konferencën për media ka thënë se pret armë specifike nga SHBA-ja.
Vizita e Blinkenit dhe Austinit është e para e nivelit të lartë amerikan qëkur nisi pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.