Botë

Ukraina në hall për ta paguar luftën pa e dëmtuar ekonominë

Stabiliteti i çmimeve dhe aftësia për t’i paguar pensionet kanë ndikim të madh te njerëzit e zakonshëm dhe te shoqëria, në kohën kur Rusia po përpiqet ta demoralizojë popullsinë duke shkatërruar qendrat energjetike dhe të furnizimit me ujë në kohën e stinës së dimrit. Me inflacionin e lartë, që ka arritur në 27 për qind, rritja e çmimeve e ka bërë të vështirë për njerëzit me të ardhura më të ulëta që ta sigurojnë ushqimin

Edhe kur ukrainasit po festojnë fitoret e fundit në frontin e luftës, qeveria po përballet me sfidën e afërt në frontin financiar: si të paguajë çmimin e madh të luftës pa shkaktuar rritje jashtë kontrollit të çmimeve për njerëzit e zakonshëm ose grumbullimin e borxhit që mund të pengojë rindërtimin pas luftës.

Halli është në gjetjen e kredive ose donacioneve për ta mbuluar deficitin masiv buxhetor për vitin e ardhshëm – dhe për ta bërë këtë pa përdorur ndihmat e Bankës Qendrore që rrezikojnë ta shkatërrojnë monedhën e Ukrainës, hryvnia.

Ekonomistët që punojnë me qeverinë thonë se nëse Ukraina mund t’i mbështesë financat e saj deri në fund të vitit të ardhshëm, është Rusia ajo që mund ta gjejë veten në telashe financiare nëse kufizimi i propozuar i çmimit të naftës nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe aleatët, ul të ardhurat e Moskës.

Pagesat e deritanishme

Në ditët e para të pushtimit të Rusisë, Qeveria ukrainase iu drejtua ndihmës së huaj që erdhi në intervale të çrregullta. Kur nuk kishte mjaftueshëm, banka qendrore bleu bono qeveritare duke përdorur para të sapoprintuara. Alternativa do të ishte ndërprerja e pagesës së pensioneve të njerëzve dhe pagave shtetërore.

Ekonomistët thonë se shtypja e parave – ndonëse një masë ndaluese e nevojshme në atë kohë – rrezikon ta lërë inflacionin të dalë jashtë kontrollit dhe ta rrëzojë vlerën e monedhës së vendit nëse vazhdon.

Ukraina ka kujtime të dhimbshme të hiperinflacionit nga fillimi i viteve 1990, thotë ekonomistja Nataliia Shapoval. Si fëmijë, ajo pa prindërit e saj të përdornin paketa të mëdha faturash për blerjet e përditshme, teksa monedha humbte vlerën dita-ditës, përpara se të zëvendësohej nga hryvnia e sotme.

“Ukraina e ka kaluar këtë, kështu që ne e dimë se si duket inflacioni që është jashtë kontrollit dhe ne nuk e duam më këtë”, thotë Shapoval, zëvendëskryetare për hulumtimin e politikave në Shkollën Ekonomike të Kievit. “Qeveria dhe Banka Qendrore tashmë janë në rrugën e rrëshqitshme duke shtypur kaq shumë para”.

Stabiliteti i çmimeve dhe aftësia për t’i paguar pensionet kanë ndikim të madh te njerëzit e zakonshëm dhe shoqëria, në kohën kur Rusia po përpiqet të demoralizojë popullsinë duke shkatërruar qendrat energjetike dhe të furnizimit me ujë në kohën e stinës së dimrit. Me inflacionin e lartë, që ka arritur në 27 për qind, rritja e çmimeve e ka bërë të vështirë për njerëzit me të ardhura më të ulëta që të sigurojnë ushqimin.

Buka që dikur kushtonte me 50 centët amerikanë është dyfishuar, thotë Halyna Morozova, banore e Khersonit, qytet jugor i çliruar së fundmi.

“Është shumë dëshpëruese dhe ne jemi nervozë. Ne jetonim me rezerva të vjetra (ushqime), por tani dritat kanë ikur, frigoriferi nuk funksionon dhe ne duhet të hedhim ushqimin”, thotë 80-vjeçarja.

Ajo thotë se rusët vazhduan të paguanin pensionin e saj ukrainas në rubla, por që kur filluan të tërhiqen në tetor, ajo nuk ka marrë asgjë. Po mbështetet te qeveria që të kthejë çdo para të pensionit që ka humbur, shpreson ajo.

Tetiana Vainshtein, gjithashtu nga Khersoni, thotë se gazi natyror është shumë i shtrenjtë për ta mbajtur shtëpinë e saj të ngrohtë. “Unë kam të ftohtë. Më pëlqen ngrohtësia dhe jam tmerrësisht e ftohur”, thotë 68-vjeçarja.

Mbylljet e bankave gjatë pushtimit rus e penguan atë të merrte paratë e pensionit, duke e detyruar të racionojë me kujdes çdo hryvnia për ushqim, thotë ajo.

Ndihma për Ukrainën

Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se Ukrainës i duhen 38 miliardë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë nga aleatët perëndimorë, si SHBA-ja dhe 27 vendet e BE-së, plus 17 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit shkaku i dëmeve të luftës.

Ekonomistët e lidhur me Shkollën Ekonomike të Kievit thonë se totali më i ulët prej 50 miliardë dollarësh nga donatorët do të mjaftonte për të shpëtuar Ukrainën gjatë këtij viti vitit.

Shpenzimet e mbrojtjes janë gjashtë herë më të larta në buxhetin e vitit 2023 të miratuar së fundmi nga parlamenti ukrainas krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet ushtarake dhe të sigurisë do të arrijnë në 43% të buxhetit, ose një enorme 18.2% të prodhimit vjetor ekonomik.

Buxheti prej 2.6 trilionë hryvnia ka deficit prej 1.3 trilionë hryvnia, që do të thotë se qeveria duhet të gjejë 3 deri në 5 miliardë dollarë në muaj për të mbuluar hendekun. Sulmet e fundit në infrastrukturën energjetike do të rrisin vetëm nevojën për financim, sepse riparimet mezi presin rindërtimin e pasluftës dhe do të godasin buxhetin e këtij viti.

Rezultati i luftës

Pavarësisht sanksioneve perëndimore, ekonomia e Rusisë ka ecur më mirë se ajo e Ukrainës, sepse çmimet e larta të naftës dhe gazit natyror kanë forcuar buxhetin e Kremlinit.

Planet e BE-së dhe aleatëve në grupin e shtatë demokracive për të vendosur kufi çmimi në shitjet e naftës ruse synojnë ta ndryshojnë këtë.

Ekonomistët e shkollës së Kievit thonë se “nga mesi i vitit të ardhshëm, ne besojmë se situata ekonomike do të ndryshojë fuqishëm në favor të Ukrainës, duke e bërë mbështetjen e fortë të partnerëve veçanërisht të rëndësishme gjatë periudhës deri në atë pikë”.

SHBA-ja ka qenë donatorja kryesore, duke dhënë 15.2 miliardë dollarë ndihmë financiare dhe 52 miliardë dollarë ndihmë të përgjithshme, duke përfshirë ndihmën humanitare dhe ushtarake, deri më 3 tetor, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme të përpiluara nga Ukraina Support Tracker në Institutin Kiel për Ekonomia Botërore.

Institucionet e BE-së dhe vendet anëtare kanë zotuar 29.2 miliardë dollarë, megjithëse “shumë nga premtimet e tyre po mbërrijnë në Ukrainë me vonesa të gjata”, thotë Christoph Trebesch, i cili kryeson ekipin e hulumtuesve.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka propozuar 18 miliardë euro kredi afatgjata pa interes për vitin e ardhshëm, të cilat ende kanë nevojë për miratim nga qeveritë anëtare. SHBA-ja ka të ngjarë të kontribuojë më shumë.

Ukraina, megjithatë, po apelon për grante mbi kreditë. Nëse i gjithë financimi vjen si kredi, borxhi do të rritet në mbi 100% të prodhimit vjetor ekonomik nga rreth 83% tani dhe 69% para luftës. Kjo barrë mund të pengojë shpenzimet për rimëkëmbjen e luftës.

Ndihma totale globale prej 85 miliardë dollarësh për Ukrainën, sipas “Ukraina Support Tracker”, është më pak se 15% e mbështetjes që qeveritë evropiane janë zotuar të mbrojnë konsumatorët nga kostot e larta të energjisë që vijnë nga reduktimet e gazit natyror të Rusisë.

Për të marrë kredi, komisioni propozoi që t'i kërkohet Ukrainës të përmirësojë të dhënat e saj mbi korrupsionin. Që nga viti 2014, Ukraina e ka rritur rezultatin e saj në indeksin e perceptimit të korrupsionit të “Transparency International” nga 26 në 32 nga 100 – jo e mirë, por duke u përmirësuar.

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar platformën e prokurimeve në internet të Ukrainës për futjen e transparencës në kontratat qeveritare – burim i madh i marrëveshjeve korruptive dhe marrëveshjeve të fshehta – dhe për kursimin e 6 miliardë dollarëve.

Perspektiva e anëtarësimit në BE i jep gjithashtu Ukrainës nxitje për ta pastruar korrupsionin.

Ndihma e FMN-së

FMN-ja i ka dhënë Ukrainës 1.4 miliardë dollarë ndihmë urgjente dhe 1.3 miliardë dollarë për të zbutur tronditjen nga eksportet e humbura të ushqimit.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, thotë se fondi me bazë në Washington po punon për më shumë ndihmë në bashkëpunim me Grupin e shtatë demokracive të pasura, të kryesuar këtë vit nga Gjermania.

“Ne jemi në rrugën e krijimit të një programi të shëndoshë dhe të konsiderueshëm për Ukrainën”, thotë ajo, “me mbështetjen veçanërisht të G-7-s dhe udhëheqjes gjermane”.

Megjithatë, për një program më të madh kredie prej 15 miliardë deri në 20 miliardë dollarë, bie ndesh me praktikat e FMN-së për të huazuar para aty ku borxhet nuk janë të qëndrueshme, dhe lufta ngre pikëpyetje për këtë. Organizata ka hezituar t'u japë hua vendeve që nuk kontrollojnë territorin e tyre, një kusht që Ukraina nuk e përmbush ende.

FMN-ja “do të duhet të shtrembërojë seriozisht kornizën e saj ekzistuese ose ta ndryshojë atë për të siguruar shuma të konsiderueshme”, thotë Adnan Mazarei, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare dhe ish-zëvendësdrejtor i departamentit të Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore të FMN-së.

Si prelud i pakos së mundshme të ndihmës, FMN-ja po zhvillon një periudhë katërmujore konsultimesh dhe monitorimi të zgjeruar të politikave ekonomike të Ukrainës për të ndihmuar Kievin të krijojë një histori të praktikave të mira. Kjo mund të krijojë besim për donatorët e tjerë që të ndërhyjnë.