Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal e ka ftuar të enjten Papa Françeskun ta vizitojë Ukrainën dhe ka kërkuar ndihmë për riatdhesimin e mijëra fëmijëve të dërguar në Rusi apo në tokat e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, raportoi Reuters.
Në një konferencë shtypi në Romë, Shmyhal ka thënë se ka zhvilluar bisedime në Vatikan lidhur me formulën e paqes së Kievit për t’i dhënë fund luftës 14-mujore të Rusisë në Ukrainë.
“Kam kërkuar nga shenjtëria e tij ndihmë për kthimin në shtëpi të fëmijëve ukrainas që po mbahen, arrestohen, deportohen në Rusi në mënyrë kriminale”, ka thënë ai.
Kievi zyrtar vlerëson se rreth 19,500 fëmijë janë dërguar në Rusi ose në Krimenë e pushtuar që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar.
Moska, e cila kontrollon pjesë të mëdha të lindjeve dhe jugut të Ukrainës, mohon rrëmbimin e fëmijëve dhe thotë se ata janë transportuar për sigurinë e tyre.
Edhe
Rusia kthen në Ukrainë 17 fëmijë ukrainas
"Ne diskutuam formulën (ukrainase) të paqes dhe një rrugë dhe ndihmë të mundshme nga shenjtëria e tij dhe Vatikani për të arritur të gjitha hapat e formulës së paqes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky", është shprehur ai.
Papa Françesku, më parë ka deklaruar se dëshiron ta vizitojë Kievin, por edhe Moskën në një mision paqeje.