Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina i fton rusët të dorëzohen: S’keni opsion tjetër për të shpëtuar

Andriy Yermak, shef i Zyrës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu bëri thirrje të martën rusëve që të dorëzohen, duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë që të shpëtojnë, raportoi BBC-ja.

Ai tha se fat të tillë nuk do të kenë rusët që zgjedhin të luftojnë kundër ukrainasve.

“Rusët e mobilizuar që dorëzohen, kanë mundësinë t’i shpëtojnë jetët e tyre. Të tjerët s’do ta kenë këtë fat”, shkroi Yermak.

Rusëve iu bëri thirrje edhe presidenti Zelensky, që të dorëzohen. Ai tha se dezertorëve rusë do t’ua garantojë sigurinë Ukraina. Kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi mobilizimin e ri, zyrtarët rusë deklaruan se kushdo që dezerton do të pasojë “dënim maksimal”.

Rusët që nuk pranuan t’i bashkohen luftës zgjodhën të ikin nga shteti. Mijëra rusë u panë në kufijtë me Finlandën dhe Gjeorgjinë, duke u larguar.