Ukraina ka mirëpritur ndalimin e importimit të naftës, gazit dhe thëngjillit rus nga Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe, por Zelenskyy ka thënë se sanksionet janë të pamjaftueshme, duke kërkuar zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. OKB-ja ka raportuar për rreth 500 civilë të vrarë. Perëndimi po mbledh dëshmitë e krimeve të luftës së trupave ruse. Inteligjenca amerikane ka thënë se rusët janë dëshpëruar për shkak të dështimit të planit për pushtim të shpejtë të Ukrainës
Presidenti Volodymir Zelenskyy, ka thënë se ukrainasit do të luftojnë “në tokë, qiell e det me çdo çmim” kundër Rusisë. Pothuajse dy javë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, lideri ukrainas ka mbajtur nëpërmjet videolidhjes një fjalim para përfaqësuesve të parlamentit britanik, duke cituar William Shakespearen e liderit e kohës së luftës, Winston Churchill.
“Ne nuk do të dorëzohemi dhe ne nuk do të humbim. Do ta vazhdojmë luftën për tokën tonë, pavarësisht çmimit”, ka deklaruar Zelenskyy, i cili është përcjellë me emocione e vëmendje të madhe nga deputetët. Duke iu referuar fjalimit të famshëm të vititi 1940 të Churchllit, “Ne do të luftojmë në plazhe”, Zelenskyy ka thënë: “Ne do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje, në rrugë”.
Perëndimi, i ndarë rreth ndalimit të naftës ruse
Para fillimit të fjalimit të Zelenskyyt, homologu i tij amerikan, Joe Biden, ka njoftuar gjatë konferencës për media se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë importimin e naftës, gazit dhe thëngjillit rus.
“Putini duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare pa marrë parasysh koston”, ka thënë Bideni në Shtëpinë e Bardhë. Ai njoftoi vendimin, duke thënë se “kjo nënkupton që nafta ruse nuk do të pranohet më në portet amerikane”.
Edhe
Zelensky dënon zgjatjen e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga SHBA-ja
Britania, sipas kryeministrit Boris Johnson, do të heqë gradualisht naftën dhe produktet ruse deri në fund të vitit 2022.
Ndërkaq, Rusia paralajmëroi më herët se do ta ndërpriste furnizimin me gaz në Evropë, në rast se ndalohet importi i naftës ruse.
“Është e pamundshme të zëvendësohet shpejt vëllimi i naftës ruse në tregun evropian, do të duhet më shumë se një vit dhe gjithashtu do të jetë shumë më shtrenjtë për konsumatorët evropianë. Në këtë skenar, ata do të jenë viktimat”, ka paralajmëruar Alexander Novak, zëvendëskryeministër i Rusisë.
SHBA-ja dhe Britania nuk varen shumë nga nafta ruse, ndryshe nga Gjermania, e cila hodhi poshtë planet për ndalimin e naftës ruse në vend. Por Gjermania dhe Holanda kanë kundërshtuar një ditë më parë se nuk do të mbështesin thirrjet për bojkotimin e naftës dhe gazit rus për shkak të varësisë së madhe të shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nga resurset e Rusisë.
Komisioni Evropian ka propozuar hartimin e një plani për ta bërë Evropën të pavarur nga lëndët djegëse fosile ruse para vitit 2030 – duke filluar me gazin.
Njoftimi vjen pasi Rusia më parë kërcënoi se do të mbyllte tubacionin e saj kryesor të gazit për Gjermani nëse Perëndimi përshkallëzon sanksionet edhe në fushën e energjisë.
Ky plan - një veprim i përbashkët evropian - përshkruan gjithashtu një sërë masash në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë në Evropë dhe për të ndihmuar në rimbushjen e rezervave të gazit për dimrin e ardhshëm.
Evropa është përballur me rritjen e çmimeve të energjisë për disa muaj, por tani pasiguria në furnizim - në dritën e pushtimit rus të Ukrainës - po e përkeqëson situatën.
REPowerEU do të kërkojë të diversifikojë furnizimet me gaz, të përshpejtojë nxjerrjen e gazeve të rinovueshme dhe të zëvendësojë gazin në ngrohje dhe prodhimin e energjisë.
Plani synon të reduktojë kërkesën e BE-së për gazin rus me dy të tretat përpara fundit të vitit.

Thellohet katastrofa humanitare
Zelenskyy ka thënë se sanksionet janë të mirëseardhura, por të pamjaftueshme, duke kërkuar zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë. Ai ka thënë se më shumë se pesëmbëdhjetë fëmijë janë vrarë deri tani dhe “këta ishin fëmijë që do të duhej të jetonin”.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës si një “katastrofë të madhe humanitare”.
Ai i ka thënë BBC-së se OBSH-ja aktualisht ka tri prioritete:
Për të dërguar furnizime mjekësore të shpëtimit për zonat e prekura në Ukrainë - mbi të gjitha oksigjen, por edhe pajisje traume dhe kujdes shëndetësor thelbësor si trajtimet për diabetin dhe sëmundjet e zemrës, ku furnizimet po mbarojnë
Të forcojë sistemet shëndetësore në shtetet fqinje të Ukrainës ku numri i refugjatëve po rritet
Të hapë një qendër funksionale OBSH-ja në Ukrainë
Ai tha gjatë ditës se gjatë 13 ditëve të pushtimit “sistemin shëndetësor nën presion të rëndë dhe krizë në rritje të refugjatëve në Evropë”.
Ukrainasit po frymëzojnë botën
Në deklaratën e tij pas fjalimit të Zelenskyyt në Dhomën e Komunave, kryeministri britanik ka thënë se ukrainasit e rëndomtë po frymëzojnë miliona njerëz me guximin e tyre në luftën kundër pushtimit rus. Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe dhe aleatët janë të vendosur që të kërkojnë furnizimin me armatim të Ukrainës, ashpërsimin e sanksioneve dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë pas agresionit ndaj shtetit të pavarur të Ukrainës. Johnson është zotuar gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar nuk do të lërë metodë pa përdorur derisa Vladimir Putini të dështojë në aventurën e tij shkatërrimtare për ukrainasit dhe derisa Ukraina “të jetë edhe njëherë e lirë”.
Së paku 21 civilë, përfshirë edhe dy fëmijë, janë vrarë gjatë një sulmi ajror rus në qytetin ukrainas, Sumi pasi ushtria ruse nuk respektoi zotimin për armëpushim për hapjen e korridorit të evakuimit të civilëve nga qytetet e rrethuara në Ukrainë në ditën e 13-të të pushtimit të saj.
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar për së paku 475 civilë të vrarë deri tani në Ukrainë. Më shumë se dy milionë ukrainas janë larguar deri tani nga Ukraina në shtetet fqinje, shumica dërmuese në Poloni, ka konfirmuar UNHCR-ja.
Edhe
Ukraina e do SHBA-në të përfshirë në përpjekjet për paqe
Zelenskyy ka thënë në një video-adresim tjetër gjatë ditës se ndihma perëndimore për mbrojtjen ajrore të Ukrainës është vitale në luftën kundër ushtrisë së madhe ruse.
“Thënë troç, qindra e mijëra njerëz në qytetet janë ndërmjet jetës e vdekjes. Nuk është gjendja sikur tingëllon në komentet e politikanëve për ofrimin e ndihmës vitale luftarake ajrore”, ka theksuar ai. “Neve na duhet mbrojtja raketore vitale. Është jetike!”.
Polonia i ofron Ukrainës aeroplanë luftarakë
Polonia tha të martën se ishte gati të vendoste - menjëherë dhe pa pagesë - të gjithë avionët e tyre luftarakë MiG-29 në bazën ajrore Ramstein të Forcave Ajrore të SHBA-së në Gjermani dhe t'ia jepte në dispozicion Uashingtonit për t'ia ofruar Ukrainës, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme polake.
“Në të njëjtën kohë, Polonia kërkon nga Shtetet e Bashkuara të na ofrojnë avionë të përdorur me aftësi operacionale përkatëse. Polonia është e gatshme të vendosë menjëherë kushtet e blerjes së avionëve”, thuhet më tej në deklaratë.
Qeveria polake në deklaratë u bëri thirrje “aleatëve të tjerë të NATO-s – pronarë të avionëve MIG-29 – të veprojnë në të njëjtën mënyrë”.
Ngecja e ushtrisë ruse në terren
“Pavarësisht përdorimit të të gjitha forcave që kishte përqendruar në dhe rreth Ukrainës, Rusia po bën ende shumë pak përparim, me vlerësimin aktual të inteligjencës së NATO-s që sugjeron se Moska nuk ka gjasa të bëjë shumë përparim në të ardhmen e parashikueshme”, tha një zyrtar ushtarak i NATO-s për CNN.
"Ne shohim shumë pak ndryshime", tha zyrtari, duke cituar vlerësimin e fundit të inteligjencës së Aleancës. "Për herë të parë, ne nuk presim që ata të bëjnë ndonjë përparim në ditët e ardhshme”.
“Ata po vënë gjithçka që kanë dhe po bëjnë ende shumë pak progres”, shpjegoi zyrtari. “Askush nuk mendonte se do të përballeshin me këto probleme të thjeshta. Pas dy javësh, ata ende nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin çështjet e tyre logjistike”.
Zyrtari pranoi se Rusia ka shënuar disa përparime margjinale, veçanërisht në jug, por tha se pritja ishte se Moska duhet të lëvizte shumë më shpejt në këtë fazë. "Me gjithë armaturën e tyre, ata duhet të lëvizin shumë më shpejt", tha zyrtari.
Zyrtari tha gjithashtu se zhvendosja e strategjisë në shënjestrimin më të drejtpërdrejtë të qendrave kryesore urbane, që çoi në bombardime më të rënda të disa qyteteve, gjithashtu nuk kishte prodhuar "efekt të madh".
Rusia po kryen krime lufte
Departamenti i Shtetit i SHBA-së po mbështet hetimet ndërkombëtare për krimet e mundshme të luftës dhe mizoritë e kryera nga Rusia në Ukrainë dhe është “i përkushtuar të ndjekë përgjegjësinë për akte të tilla duke përdorur çdo mjet në dispozicion, përfshirë ndjekjet penale aty ku është e përshtatshme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Sipas zëdhënësit, Departamenti i Shtetit "po mbështet autoritetet e Ukrainës, të cilat tashmë po punojnë për të dokumentuar krimet e mundshme të mizorive për ndjekje", si dhe "punën e rëndësishme të dokumentuesve të të drejtave të njeriut në Ukrainë".
Ai po mbështet gjithashtu Komisionin Hetimor të OKB-së për të hetuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut nga Rusia dhe misioni i ekspertëve të OSBE-së të thirrur nga SHBA-ja dhe 44 vende të tjera javën e kaluar, ka nisur të përdorë Mekanizmin e Moskës.
Mekanizmi i Moskës përdoret për të krijuar misione afatshkurtër për gjetjen e fakteve mbi shqetësimet e të drejtave të njeriut. Është një hap serioz dhe sipas OSBE-së, ai është aktivizuar vetëm nëntë herë të tjera që nga themelimi i tij në vitin 1991. Së fundmi është përdorur në vitin 2020 për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Bjellorusi.
Gjatë një seance dëgjimore të martën, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes tha se ai nuk besonte se SHBA-ja kishte parë ende prova të drejtpërdrejta se Moska ka kryer krime lufte në Ukrainë.
“Nuk e di se kemi prova të drejtpërdrejta përveç asaj që shohim në mediat sociale. Sigurisht, bombardimi i shkollave dhe objekteve që nuk janë të lidhura me ushtrinë ukrainase do të më tregonte se ai po shkon drejt kufirit nëse nuk e ka bërë këtë tashmë”, tha gjenerallejtënant Scott Berrier.
Në një intervistë në CNN të dielën, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se ka parë “raporte shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve, të cilat do të përbënin një krim lufte".
“Dhe ajo që ne po bëjmë tani është të dokumentojmë të gjitha këto, t'i bashkojmë të gjitha, ta shikojmë dhe të sigurohemi që ndërsa njerëzit dhe organizatat dhe institucionet përkatëse hetojnë nëse janë kryer apo po kryhen krime lufte, që ne mund të mbështesim çfarëdo që ata po bëjnë", tha Blinken. “Pra, tani ne po i shikojmë këto raporte. Ato janë shumë të besueshme. Dhe ne po dokumentojmë gjithçka”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat e armatosura ruse mund t’i kenë bombarduar qëllimisht civilët për t’i detyruar të zhvendosen që t’i hapet rrugë sulmit masiv ushtarak kundër Ukrainës. Ai ka thënë se Rusia po kryen krime lufte në shtetin fqinj.
Edhe
Zelensky: Ukraina vendos se kush e përfaqëson Evropën në bisedime me Rusinë
“Kjo është kriza më e madhe në ngritje në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Ka shumë raporte të besueshme se civilët po sulmohen derisa po mundohen të evakuohen”, ka deklaruar Stoltenber. “Sulmi mbi civilët është krim lufte dhe është krejtësisht e papranueshme. Na duhen korridore të vërteta humanitare që respektohen plotësisht”.
Përgatiti: Rexhep Maloku