Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Uji në Venecia merr ngjyrë të gjelbër, s’dihen shkaqet

Ujërat në kanalin kryesor të Venecias u kthyen në jeshile fluoreshente të dielën në zonën pranë urës Rialto dhe autoritetet po kërkojnë të gjurmojnë shkakun, tha departamenti i zjarrfikësve të Italisë.

Agjencia rajonale e mbrojtjes së mjedisit ka marrë mostra të ujërave të ndryshuar dhe po punon për të identifikuar substancën që ka ndryshuar ngjyrën e tyre, tha departamenti në një postim në Twitter.

Ndërkohë në Venecia është thirrur mbledhje urgjente e forcave të policisë për të kuptuar se çfarë ndodhi dhe për të studiuar kundërmasat e mundshme, raporton agjencia e lajmeve Ansa.

Kjo vjen pas ngjarjeve të fundit në Itali ku grupet mjedisore kanë ngjyrosur monumentet, duke përfshirë përdorimin e qymyrit vegjetal për t’i bërë të zeza ujërat e shatërvanit Trevi të Romës në një protestë kundër karburanteve fosile.

Megjithatë, ndryshe nga rastet e mëparshme, asnjë grup aktivist nuk është paraqitur për të marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi në Venecia.