Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Udhëheqësi më jetëgjatë i një vendi do të kandidojë sërish në zgjedhje

Presidenti i Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang, do të kandidojë sërish për postin në zgjedhjet e nëntorit, për të synuar zgjatjen e mandatit të tij 43-vjeçar që filloi me një grusht shteti ushtarak më 1979, shkruan CNN.

Sipas organizatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimi i Obiangut u karakterizua nga torturat e kundërshtarëve politikë, zgjedhjet e falsifikuara dhe korrupsioni. Obiangu ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla.

Nën drejtimin e tij, ky vend i Afrikës Perëndimore u bë i izoluar dhe i varur nga shitja e naftës dhe gazit, të cilat sigurojnë rreth tre të katërtat e të ardhurave të shtetit. Raportet nga organizatat joqeveritare thonë se paratë mbushin xhepat e njerëzve të afërt me presidentin, ndërsa shumica e njerëzve jetojnë në varfëri.

Djali i tij, zëvendëspresidenti Teodoro Nguema Obiang Mangue, një person që i pëlqen festat, veturat e shpejta dhe bizhuteritë, u dënua për përvetësim nga një gjykatë franceze në vitin 2020.

Një mandat tjetër do të sjellë sfida të reja. Ekonomia është frenuar nga Covid-19 dhe çmimi i naftës ka rënë, megjithëse lufta në Ukrainë dhe nevoja për naftë dhe gaz jo-rus mund të nxisin ekonominë e Guinesë Ekuatoriale.

Varfëria është ende shumë e përhapur dhe ishte veçanërisht e dukshme vitin e kaluar, kur një seri shpërthimesh shkatërruan një pjesë të qytetit bregdetar të Batës, duke vrarë rreth 100 njerëz.