Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Udhëheqësi i “Wagnerit” rrëfen për herë të parë për misionin e mercenarëve rusë

Biznesmeni rus, Yevgeny Prigozhin, konfirmoi për herë të parë se në vitin 2014, krijoi një kompani private ushtarake, të quajtur “Wagner”. Siç raportoi BBC-ja të martën, Prigozhin rrëfeu se pas nisjes së konfliktit në Donbas, nisi Lëvizjen Komuniste Wagner.

“Unë, si shumë biznesmenë të tjerë, shkova në terrenet e stërvitjes ku u mblodhën kozakët (trupa ushtarake ruse v.j.) dhe u përpoqa të mbledh para për të rekrutuar një grup që do të shkonte dhe do t’i mbronte rusët. Por shpejt kuptova se mes gjithë kozakëve dhe shokëve të tjerë paraushtarakë - gjysma e tyre ishin mashtrues dhe gjysma e atyre që morën para, punësuan vullnetarë dhe i dërguan të zhveshur e të zbathur në vdekjen e tyre të vërtetë. Pastaj unë fluturova në një nga terrenet e stërvitjes dhe e bëra vetë”, ka thënë Prigozhin, përcjell “Concord”.

Deri më sot, Prigozhin ka mohuar lidhjen e tij me “Wagnerin” dhe i ka paditur gazetarët që shkruanin për lidhje të tilla me kompaninë.

Sipas tij, falë guximit të luftëtarëve të “Wagnerit”, “çlirimi i aeroportit të Luhanskut dhe shumë territoreve të tjera u bë i mundur dhe fati i Donetskut u ndryshua rrënjësisht”.

“Wagner” doli në skenë për herë të parë në vitin 2014, kur nisi konflikti në Republikën e Vetëshpalllur të Luhanskut. Mercenarët e “Wagnerit” fituan popullaritet, por jo për shkak të luftimeve, por për likuidimin e shumë komandantëve të njohur në terren.

Pos kësaj, Prigozhin deklaroi se luftëtarët e tij iu dolën në krah popujve sirianë, arabë, afrikanë dhe ameriko-latinë. “Wagnerët” luftuan në Siri, në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Libi, që ishte raportuar edhe nga mediat perëndimore. Tash, mercenarët rusë janë përfshirë në luftë ndaj Ukrainës. Mijëra trupa u rekrutuan qëkur nisi agresioni rus.