Strasburg, 18 prill – Bashkimi Europian nuk do të pranojë asnjë marrëveshje për tërheqjen, as tranzicion me Londrën nëse dy palët nuk gjejnë një zgjidhje për të shmangur një kufi mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut, theksoi sot presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Britania e Madhe dhe 27 vendet kanë realizuar progrese këto javët e fundit, me një marrëveshje të përkohshme për një pjesë të madhe të traktatit që do të organizojë tërheqjen britanike parashikuar në fund të marsit 2019 dhe për një periudhë tranzicioni deri në fund të 2020.
BE ka miratuar gjithashtu në fund të marsit qëndrimin e saj për të filluar diskutimet në kuadër të marrëdhënieve të ardhshme post-Brexit me Londrën, veçanërisht në planin tregtar.
“Ne dëshirojmë të përfitojmë nga dinamika pozitive e këtyre negociatave për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të lëna pezull, si zgjidhja që mundëson shmangien e një kufiri mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut”, deklaroi Tusk para eurodeputetëve të mbledhur në seancë plenare në Strasburg.
“Pa zgjidhje të kësaj pike nuk do të ketë marrëveshje për tërheqjen dhe as tranzicion”, nënvizoi ai, ndërkohë që çështja e kufirit irlandez është bërë këto muajt e fundit një prej pikave kryesore të pengimit të negociatave.