Dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në veri të Sirisë, pasi forcat turke rritin ofensivën e tyre ndërkufitare në zonat e mbajtura nga kurdët.
Trupat turke kanë rrethuar qytetet kufitare Ras al-Ain dhe Tal Abyad, ndërsa agjencitë e ndihmës kanë frikë se eksodi mund të arrijë në qindra mijëra.
Thirrjet ndërkombëtare janë rritur që Turqia të ndalë sulmin.
Turqia ka mbrojtur përpjekjen e saj për të krijuar një "zonë të sigurt" pa milicitë kurde, e cila gjithashtu mund të strehojë refugjatë sirianë.
Turqia i konsideron milicitë kurde të Forcave Demokratike Siriane (SDF) - të cilat kanë kontrolluar zonat ndërkufitare - si "terroristë" që mbështesin një kryengritje anti-turke.
SDF kanë qenë aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara në betejën kundër grupit të Shtetit Islamik (IS).
Ankaraja zyrtare bëri me dije se ka vrarë 277 luftëtarë kurdë pas mësymjes së saj në Siri, ndërkohë që nga radhët e Turqisë, është vrarë vetëm një ushtar.
Edhe
Operacioni turk ndaj kurdëve, rritet numri i viktimave dhe i të zhvendosurve
Por, ndërkohë që Turqia ka nisur betejën në Sirinë veriore, në Europë ka shqetësim se Erdogan është duke forcuar ISIS, duke luftuar kurdët. Për këtë arsye, Franca ka kërcënuar Turqinë, se do të kërkojë sanksione nga BE-ja.
Emannuel Macron thotë se Turqia është duke ndihmuar rimëkëmbjen e ISIS, me luftën që ka nisur ndaj kurdëve në Siri. Presidenti amerikan Donald Trump, ndërkohë ka reaguar sërish, pas kritikave nga republikanët, për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Siria veriore, duke i hapur kështu rrugë ushtrisë turke.
Trump thotë se kishte tre alternativa: “Të dërgoja mijëra trupa të tjerë, për të fituar ushtarakisht; të godisja fort financiarisht dhe me sanksione Turqinë; ose të ndërmjetësoja një marrëveshje mes turqve dhe kurdëve”.