Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se Turqia nuk do të rrijë duarkryq për çështjen e mercenarëve të mbështetur nga Rusia që po e mbështesin Khalifa Haftarin në Libinë e kapluar nga kriza, përderisa Moska ka ngritur shqetësime për dërgimin e mundshëm të ushtrisë turke në këtë shtet, në përkrahje të armiqve të Haftarit.
Turqia ka mbështetur Qeverinë libiane të njohur ndërkombëtarisht dhe të prirë prej Fayez al-Serrajn, ndërsa dy palët kanë nënshkruar një marrëveshje sigurie muajin e kaluar, që do të mund të thellonte edhe më shumë bashkëpunimin ushtarak.
Ankaraja zyrtare tashmë ka dërguar furnizime ushtarake në Libi në kundërshtim me embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara, është bërë e ditur në një raport të ekspertëve të OKB-së, qasje në të cilin ka pasur agjencia e lajmeve “Reuters”. Në të thuhet se qeveria e Pajtimit Kombëtar e Serrajit ka kërkuar ndihmë nga Turqia, pasi që Haftari ka marrë përkrahjen e Jordanisë dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Turqia nuk u është përgjigjur drejtpërsëdrejti pretendimeve të raportit, por Erdogani ka thënë se Ankaraja nuk do të mund të injoronte mbështetjen që Haftari po merr prej grupit “Wagner”, mbështetur nga Kremlini, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. “Nëpërmjet grupit me emrin ‘Wagner’, ata në fakt po punojnë si mercenarë të Haftarit në Libi. Ju e dini se kush po i paguan”, ka thënë Erdogani në një fjalim të transmetuar nga emetuesi “NTV” gjatë udhëtimit të presidentit turk për Malajzi.
“Kështu është puna, dhe nuk do të ishte e drejtë për ne që të heshtim kundër krejt kësaj situate. Deri tani kemi bërë më të mirën e mundshme, dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Këto komente Erdogani i ka bërë një ditë pasi që Qeveria e Serrajit njoftoi se ka ratifikuar marrëveshjen e muajit të shkuar për bashkëpunim ushtarak dhe të sigurisë me Turqinë, duke hapur rrugën për mbështetjen më të madhe turke në kohën kur po zhvillohet ofensivë ushtarake kundër forcave të Haftarit.
Më herët gjatë së premtes, Rusia ka bërë të ditur se është e shqetësuar me prospektin e dërgimit të trupave turke në Libi, duke shtuar se marrëveshja për bashkëpunim ushtarak ndërmjet Ankarasë dhe Tripolit ka ngritur shumë çështje për Moskën, ka bërë të ditur agjencia ruse e lajmeve, “Interfax”.
Erdogani ka thënë të mërkurën se Turqia do të përmirësojë operacionin me Libinë, duke ofruar mbështetje ushtarake për Qeverinë e Serrajit dhe se do të marrë hapa të përbashkët në Mesdheun Lindor. Ankaraja ka njoftuar po ashtu se do të ofrojë mbështetje ushtarake për Libinë, porse këtë nuk do ta bëjë pa marrë kërkesë prej Tripolit zyrtar.
Kremlini ka bërë të ditur se Erdogani dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do ta diskutojnë muajin e ardhshëm në Turqi dërgimin e mundshëm të ushtrisë turke në Libi.