Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia e gatshme ta mbikëqyrë procesin e eksportimit të grurit ukrainas

Turqia po ofron garanci për rifillimin e eksportimit të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi, me qëllim të respektimit të marrëveshjes që u nënshkrua të premten (22 korrik), mes Ukrainës e Rusisë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, deklaroi se anija e parë me grurë mund të lundrojë nëpërmjet portit ukrainas në ditët në vijim, derisa shtoi se Turqia do të ofrojë eksportim të sigurt.

“Nuk do të duhen më shumë se disa ditë prej kur grupi i parë i eksportimit të grurit të nisë”, deklaroi Akar.

Qendra për monitorimin e eksportimit të grurit dhe plehrave nga Ukraina, e vendosur në Stamboll, do ta monitorojë procesin e dërgesave nga tri portet ukrainase si dhe do të kryejë inspektimin e anijeve.

Rusia, sipas BBC-së, mbështeti iniciativën turke.

“Duke pasur parasysh atë që thonë kolegët tanë turq, në territorin e të cilëve ndodhet qendra e koordinimit, ata presin që këto dërgesa, të paktën nga Ukraina, të fillojnë në të ardhmen e afërt”, deklaroi zëvendësshefi rus i Ministrisë së Jashtme, Andriy Rudenko.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e dështimit të marrëveshjes së arritur në Stamboll, pasi sipas Rudenkos, eksportimi duhet të nisë njëkohësisht si me grurin ukrainas, ashtu edhe me atë rus.

Bllokimi i eksportimit të grurit dhe kulturave të tjera bujqësore ka ngritur alarmin në Evropë për një krizë humanitare ushqimore.

Çmimet e grurit dhe të produkteve të tjera bujqësore kanë shënuar rritje.

Artikuj të ngjashëm