Botë

Turqia do t’i kërkojë kompensim SHBA-së për largimin nga programi i avionëve

Duke folur para gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit nga takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, të mërkurën në Sochi, Erdogani ka theksuar se nuk do të ketë “kthim prapa” nga marrëveshja me Rusinë për sigurimin e sistemeve të avancuara të mbrojtjes raketore S-400. Kjo marrëveshje kishte hapur rrugën për largimin e Turqisë anëtare në NATO nga programi ndërkombëtar i prodhimit të aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35

Turqia synon që t’u kërkojë kompensim Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e saj nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35, mbase gjatë takimit me presidentin Joe Biden në margjinat e takimit të G20-s muajin e ardhshëm, ka bërë të ditur të enjten presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Duke folur para gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit nga takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, të mërkurën në Sochi, Erdogani ka theksuar se nuk do të ketë “kthim prapa” nga marrëveshja me Rusinë për sigurimin e sistemeve të avancuara të mbrojtjes raketore S-400.

Kjo marrëveshje kishte hapur rrugën për largimin e Turqisë anëtare në NATO nga programi ndërkombëtar i prodhimit të aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35.

Erdogani ka thënë se shpreson që të takohet me Bidenin në takimin e G20-s në Romë për ta diskutuar projektin F-35, duke përfshirë edhe pagesën prej 1.4 miliardë dollarësh që Turqia kishte bërë para largimit nga programi. Ai ka theksuar se edhe një takim tjetër midis liderëve turq dhe amerikanë mund të mbahet gjatë konferencës për klimë në Glasgow të Skocisë, gjatë nëntorit.

I pyetur lidhur me planet e Turqisë për të blerë sisteme shtesë S-400, me gjithë kërcënimet për sanksione shtesë nga SHBA-ja, Erdogani është përgjigjur: “Procesi S-400 vazhdon. Nuk ka kthim prapa”.

Komentet e tij janë raportuar nga kanali privat turk i lajmeve NTV dhe nga mediat e tjera. Turqia ishte larguar nga programi F-35 dhe zyrtarët e saj të sektorit të mbrojtur ishin sanksionuar pasi që vendi i bleu sistemet raketore ruse, dy vjet më parë. SHBA-ja kundërshton fuqimisht që vendet anëtare të NATO-s të përdorin sisteme ruse, duke bërë të ditur se një gjë e tillë përbën kërcënim sigurie për aeroplanët F-35. Nga ana e saj, Turqia ka insistuar se sistemi rus mund të përdoret në mënyrë të pavarur pa u integruar në sistemet e NATO-s dhe kësisoj të mos përbëjë ndonjë rrezik. SHBA-ja kishte sanksionuar Turqinë lidhur me blerjet nën një ligj të 2017-s që synonte zmbrapsjen e ndikimit të Rusisë. Veprimi ka përbërë rastin e parë që ligji, i njohur si CAATSA, të përdoret për penalizimin e një aleati amerikan.

Gjatë bisedimeve me Putinin në qytetin e Sochit gjatë së mërkurës, Erdogan ka bërë të ditur se vendi i tij do të bashkëpunojë me Rusinë për aeroplanët luftarakë dhe nëndetëset, duke e sfiduar kësisoj haptas SHBA-në.

Ai ka theksuar se i kishte propozuar bashkëpunim shtetit rus rreth ndërtimit të dy termocentraleve bërthamore, ndërkaq ka shtuar se homologu i tij e ka këshilluar për ndërtimin e platformave për lansimin e raketave.