Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se nuk ka "asnjë afat kohor" për t'i dhënë fund luftës me Iranin, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nuk ka vendosur një afat të ri për një armëpushim të zgjatur.
Ndërkohë, kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se “nuk është e mundur” të rihapet Ngushtica e Hormuzit për shkak të shkeljeve "flagrante" të armëpushimit nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se bllokada e SHBA-së dhe “shkelja e angazhimeve” janë pengesat kryesore për negociatat.
Irani ka sulmuar të mërkurën tri anije mallrash ndërsa ato përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ekuipazhet e dy prej tyre janë ndaluar nga Irani.
Ndërkaë, Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë një rund të dytë bisedimesh të enjten.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka thënë se komunikimet janë duke u zhvilluar “për të zgjatur afatin e armëpushimit”.
Trumpi thotë se s’do të nxitojë t’i japë fund luftës me Iranin, përjashton përdorimin e armës bërthamore
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të përfundojë lufta me Iranin.
Trumpi u ka thënë gazetarëve në Zyrën Ovale, se ai nuk është në presion për të bërë marrëveshje dhe se presioni është te Irani pasi po humb çdo ditë.
Ai ka thënë se SHBA-ja ka shkatërruar 75 për qind të objektivave që kishte në Iran dhe se ka ndalur për shkak të armëpushimit, për t’i dhënë kohë iranianëve t’i zgjidhin “trazirat e brendshme”.
“Ne ishim në Vietnam për 18 vjet, ishim në Irak për shumë vite...ishim për katër vjet e gjysmë apo pesë në Luftën e Dytë Botërore...Ata duan të bëjnë marrëveshje, kemi biseduar me ta. Por, ata nuk e dinë se kush po e udhëheq vendin. Janë në rrëmujë, kështu që menduam t’u japim pak mundësi ta zgjidhin rrëmujën. Nuk dua të nxitohem. E dini çdo storie thotë se ‘Trumpi është nën presion’. Jo, jo – a e dini kush është nën presion? Irani. Pasi nëse nuk e lëviz naftën e vetë, atëherë gjithë infrastruktura e tyre e naftës do të shkatërrohet”, tha Trump, transmeton “CNN”.
Ai ka treguar se nuk dihet se kush është lider në Iran.
“Ata nuk e dinë se kush po udhëheq. Mos harroni ndryshimin e regjimit. Khamenei nuk është më...Ai u eliminua dhe i gjithë ekipi i tij u eliminua. Pastaj erdhi grupi i dytë, dhe edhe ai shkoi. Tani kemi grupin e tretë, dhe edhe ata janë të shqetësuar se do të eliminohen”, tha Trump.
Sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Trump tha se është çmim që ia vlen të paguhet pasi nuk është lejuar Irani të prodhojë armë bërthamore.
Ai ka thënë se ka pritur që çmimi i naftës të shkonte 200 dollarë për fuçi.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit.
Ai gjatë ngjarjes është pyetur nga një gazetar edhe nëse do të përdorte armë bërthamore kundër Iranit.
“Pse do të më duhej? Pse do ta përdorja një armë bërthamore kur ne i kemi shkatërruar plotësisht – në një mënyrë konvencionale pa të? Një armë bërthamore nuk duhet të lejohet kurrë të përdoret nga askush”, tha Trumpi duke e quajtur pyetjen budallallëk.
Trumpi urdhëron sulm ndaj çdo anijeje që vendos mina në Hormuz
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në Truth Social se ka urdhëruar Marinën e SHBA-së që të sulmojë çdo anije që po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit.
Deklarata e tij vjen pak pasi Pentagoni njoftoi për sekuestrimin e një anijeje me naftë në Paqësor.
“E kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë çdo anije, sado të vogla të jenë që po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Nuk ka asnjë hezitim. Përveç kësaj, "pastruesit" tanë të minave po e pastrojnë Ngushticën tani. Me anë të kësaj po urdhëroj që ky aktivitet të vazhdojë, por në një nivel të trefishuar”, ka shkruar Trumpi.
Kjo vjen dy ditë pasi ai njoftoi zgjatjen e armëpushimit me Iranin, në afat të pacaktuar.
Mirëpo, pas këtij vendimi të njëanshëm nga SHBA-ja të martën, Irani ka shtrënguar kontrollin e tij në Hormuz, duke sulmuar të mërkurën tri anije dhe duke sekuestruar dy prej tyre.
SHBA-ja sekuestron një anije iraniane me naftë
Ushtria amerikane ka sekuestruar të enjten një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar tensionet me Iranin, një ditë pasi Garda e saj paraushtarake Revolucionare mori kontrollin e dy anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Departamenti i Mbrojtjes ka publikuar videopamje të forcave amerikane në kuvertën e cisternës së naftës Majestic X, e cila u sekuestrua në Oqeanin Indian.
“Ne do të vazhdojmë zbatimin global të ligjit detar për të ndërprerë rrjetet e paligjshme dhe për të ndaluar anijet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato veprojnë”, ka thënë Pentagoni në një deklaratë.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve treguan Majestic X në Oqeanin Indian midis Sri Lankës dhe Indonezisë, afërsisht në të njëjtin vend si cisterna e naftës Tifani, e sekuestruar më parë nga forcat amerikane. Ajo ishte drejtuar për në Zhoushan, Kinë.
Nuk ka ende ndonjë reagim nga Irani për lajmin e sekuestrimit.
Sekuestrimi vjen një ditë pasi Irani sulmoi tri anije mallrash në ngushticë, duke kapur dy prej tyre, në një veprim që intensifikoi sulmin e tij ndaj transportit detar në rrugën kryesore ujore përmes së cilës kalon 20% e naftës së tregtuar në botë në kohë paqeje.
Të martën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjatur armëpushimin me Iranin mirëpo ka ruajtur bllokadën amerikane të porteve iraniane.
Konflikti midis SHBA-së dhe Iranit ka bllokuar në mënyrë efektive pothuajse të gjitha eksportet përmes ngushticës pa asnjë fund në horizont.
Konflikti tashmë ka bërë që çmimet e gazit të rriten shumë përtej rajonit dhe ka rritur koston e ushqimit dhe një gamë të gjerë produktesh të tjera.
Çmimi i naftës bruto Brent, standardi ndërkombëtar, ka arritur në mbi 100 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej 35% nga nivelet e para luftës.
Irani thotë se ka pranuar pagesën e parë për kalim detar në Ngushticën e Hormuzit
Irani ka marrë pagesat e para të taksave nga anijet në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur të enjten nënkryetari i parlamentit iranian, Hamidreza Haji Babaei.
Sipas një raporti nga Agjencia e Lajmeve Tasnim, ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth mënyrës se si janë mbledhur të ardhurat, ose kush i ka paguar ato.
Mirëpo ai raportohet të ketë thënë se të ardhurat e para të mbledhura nga taksat janë depozituar në bankën qendrore të vendit.
Para armëpushimit aktual, Teherani kishte thënë se e kishte kufizuar kalimin në ato që i quante vende "mike", dhe kishte bisedime për mbledhjen e taksave nga anijet që kalonin nëpër ngushticë.
Por nuk ka pasur sqarime gjatë asaj kohe rreth asaj se sa, ose nëse, Irani po ngarkonte një tarifë për kalimin.
Në fund të marsit, ambasada e Iranit në Indi ka mohuar pretendimet se Teherani po u ngarkonte anijeve 2 milionë dollarë për të kaluar.
Sot, një tjetër deputet i lartë iranian, Alireza Salimi, i ka thënë Tasnim se kishte “dëgjuar nga burime të besueshme se Irani ka mbledhur tarifa nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”.
Transporti tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit është ndërprerë rëndë që nga fillimi i luftës, dhe disa raportime mediatike kanë sugjeruar se planet e Iranit për rrugën ujore jetësore përfshijnë të drejtën për të kërkuar tarifa tranziti prej rreth 2 milionë dollarësh për anije.
Mirëpo, më 12 prill, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka postuar në internet se kishte udhëzuar Marinën Amerikane të "kërkonte dhe ndalonte çdo anije në ujërat ndërkombëtare që i ka paguar një taksë Iranit".
"Askush që paguan një taksë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur", ka thënë ai në atë kohë.
Disa ditë më parë, Trumpi kishte sugjeruar që SHBA-ja dhe Irani mund të vendosnin tarifa në ngushticë si një "ndërmarrje e përbashkët".
Forcat amerikane tani po kryejnë bllokadën e tyre të anijeve që udhëtojnë për në dhe nga portet iraniane.
SHBA-ja ndalon tri anije iraniane të ngarkuara me naftë
Ushtria e SHBA-së ka ndaluar të paktën tri cisterna me flamur iranian në ujërat aziatike dhe po i devijon ato larg pozicioneve të tyre pranë Indisë, Malajzisë dhe Sri Lankës, kanë thënë burime nga transporti detar dhe siguria të mërkurën.
Uashingtoni po vazhdon bllokadën e saj ndaj anijeve tregtare iraniane, ndërsa Irani ka sulmuar të mërkurën tri anije, duke ipenguar ato të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në hyrje të Gjirit të Lindjes së Mesme.
Gati dy muaj pasi SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur luftën kundër Iranit, ka pak shenja se bisedimet për paqe do të rifillojnë gjatë armëpushimit të brishtë.
Mbyllja e ngushticës ka ndërprerë furnizimin me një të pestën e naftës dhe gazit në botë dhe ka shkaktuar një krizë globale energjetike. Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije mallrash iraniane dhe një cisternë nafte në ditët e fundit.
Irani ndërkaq ka thënë se kishte kapur dy anije kontejnerësh që po përpiqeshin të largoheshin nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit të mërkurën, pasi kishte qëlluar mbi to dhe mbi një anije tjetër, kapjet e para që nga fillimi i luftës.
SHBA-ja ka devijuar të paktën edhe tri cisterna të tjera me flamur iranian ditët e fundit, sipas dy burimeve amerikane dhe indiane të transportit detar dhe dy burimeve të veçanta perëndimore të sigurisë detare që kanë folur për Reuters të mërkurën.
Njëra prej anijeve ishte supercisterna “Deep Sea” me flamur iranian, e cila ishte pjesërisht e ngarkuar me naftë bruto dhe u pa për herë të fundit në sinjalin publik të transponderit të saj pranë brigjeve të Malajzisë një javë më parë, sipas burimeve dhe të dhënave të gjurmimit të anijeve në platformën MarineTraffic.
Anija më e vogël “Sevin” me flamur iranian, me kapacitet maksimal prej 1 milion fuçish dhe e ngarkuar rreth 65%, gjithashtu është ndaluar. Ajo është parë për herë të fundit pranë brigjeve të Malajzisë një muaj më parë, sipas të dhënave të gjurmimit.
Supercisterna iraniane “Dorena” është ndaluar gjithashtu, e ngarkuar plotësisht me 2 milion fuçi nafte bruto, dhe u pa për herë të fundit pranë brigjeve të Indisë jugore tri ditë më parë, sipas burimeve dhe të dhënave të MarineTraffic.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë të mërkurën në një postim në X se “Dorena” ishte nën shoqërimin e një shkatërruesi të Marinës amerikane në Oqeanin Indian pasi kishte tentuar të shkelte bllokadën.
Forcat amerikane mund të kenë ndaluar edhe cisternën “Derya” me flamur iranian, kanë thënë burime të transportit detar. Kjo anije nuk arriti të shkarkojë ngarkesën e saj me naftë iraniane në Indi përpara se të skadonte përjashtimi amerikan për blerjet e naftës iraniane të dielën. Ajo u pa për herë të fundit pranë brigjeve perëndimore të Indisë të premten, sipas të dhënave të MarineTraffic.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka thënë gjithashtu se që nga fillimi i bllokadës ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, forcat amerikane kanë urdhëruar 29 anije të kthehen pas ose të rikthehen në port.
Çmimet e naftës rriten pas sekuestrimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit
Çmimet e naftës janë rritur të enjten pas raportimeve për sulm ndaj tri anijeve në Ngushticën e Hormuzit nga forcat iraniane.
Standardi global për naftën e papërpunuar, Brent, luhatet në rreth 103 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA është rritur në mbi 94 dollarë.
Çmimet janë rritur që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi zgjatje të armëpushimit të mërkurën për t'i dhënë Iranit më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.
Irani shtrëngon kontrollin ndaj Hormuzit pasi SHBA-ja u tërhoq nga sulmet e reja
Irani ka sekuestruar të mërkurën dy anije në Ngushticën e Hormuzit ndërsa po forcon kontrollin mbi këtë rrugë ujore strategjike, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se po pezullonte për një kohë të pacaktuar sulmet, pa asnjë shenjë që bisedimet për paqe po rifillonin.
Statusi i armëpushimit dyjavor, që duhej të kishte skaduar të mërkurën, mbetet i paqartë. Në një kthesë të papritur vetëm disa orë pasi kishte kërcënuar me dhunë të re, Trumpi bëri një njoftim të martën që dukej si i njëanshëm, se SHBA-ja do ta zgjaste armëpushimin derisa Irani të paraqiste propozime konkrete për t’u dhënë fund të gjitha armiqësive.
Por zyrtarët iranianë nuk kanë thënë se kishin rënë dakord për ndonjë zgjatje të armëpushimit dhe kritikuan vendimin e Trumpit për të mbajtur bllokadën detare të Marinës së SHBA-së ndaj tregtisë së Iranit, të cilën Irani e konsideron një akt lufte.
Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Baqer Qalibaf, ka thënë se armëpushimi i plotë do të kishte kuptim vetëm nëse bllokada hiqej.
Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, ngushtica e rëndësishme përmes së cilës kalonte një e pesta e tregtisë botërore të naftës para luftës, ishte e pamundur me një “shkelje kaq flagrante të armëpushimit”, sipas Qalibaf i cili ka shkruar në rrjetet sociale.
“Nuk i arritët qëllimet tuaja përmes agresionit ushtarak dhe nuk do t’i arrini as përmes presionit”, ka shkruar aui në reagimin e tij të parë ndaj njoftimit të Trumpit.
“E vetmja rrugë është njohja e të drejtave të popullit iranian”, ka shtuar ai.
Në një tjetër zhvillim në Pentagon gjatë kohës së luftës, sekretari i Marinës John Phelan është shkarkuar, sipas një zyrtari amerikan dhe një personi të njohur me çështjen. Ky veprim erdhi vetëm disa javë pasi Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte larguar gjeneralin më të lartë të ushtrisë.
Pentagoni ka njoftuar se Phelan po largohej nga administrata “me efekt të menjëhershëm”, por nuk ka dhënë arsye dhe as nuk ka sqaruar nëse ishte vendimi i tij për t’u larguar.
Trumpi është tërhequr përsëri nga kërcënimet e tij të përsëritura për të bombarduar centralet energjetike të Iranit dhe infrastrukturën tjetër civile, për të cilat Kombet e Bashkuara dhe të tjerë paralajmërojnë se do të shkelnin të drejtën ndërkombëtare humanitar. Por pak përparim është bërë në përfundimin e luftës që filloi me sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt.
Kjo i lë të dyja palët në një situatë pritjeje, teksa Ngushtica e Hormuzit është ende praktikisht e mbyllur, e kjo situatë po vazhdon të ushtrojë presion mbi ekonomitë në mbarë botën.