Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja “do të largohet” nga Irani brenda “dy deri në tre javësh”, kur të jenë të sigurt se regjimi nuk mund të ndërtojë një armë bërthamore "për vite me radhë".

Duke folur nga Zyra Ovale, Trumpi ka thënë se Irani po "lutet të bëjë një marrëveshje", por nëse kjo ndodh apo jo është "e parëndësishme" për agjendën e Amerikës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më parë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se Teherani kishte "vullnetin e nevojshëm" për t'i dhënë fund luftës, me kusht që armiqtë e tij të garantonin se nuk do të shpërthente përsëri.

Edhe sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA-ja po shkëmben mesazhe me Iranin dhe se fundi i luftës është afër.

"Po zhvillohen bisedime", ka thënë ai për Fox News. "Ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë në një moment të caktuar. Ne gjithmonë do të jemi të hapur për këtë", ka shtuar Rubio.

Por, ai ka thënë po ashtu se presidenti Trump nuk do të lejojë që "negociatat e rreme të përdoren si taktikë vonese, për të blerë më shumë kohë".

Ndërkohë presidenti kinez, Xi Jinping, ka shtur përpjekjet për të nxitur një armëpushim.

Kina dhe Pakistani kanë paraqitur një plan me pesë pika për t'i dhënë fund luftës në Iran, i cili përfshin një armëpushim të menjëhershëm dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Iniciativa u hartua pasi ministri i jashtëm i Pakistanit fluturoi për në Pekin për të kërkuar mbështetjen kineze për përpjekjet e vendit për të negociuar përfundimin e luftës.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se të dy po bënin "përpjekje të reja drejt avokimit për paqe".

E ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se të paktën shtatë persona janë vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa IDF-ja thotë se ka goditur një komandant të Hezbollahut dhe një figurë tjetër të lartë në dy sulme në të gjithë Bejrutin.

Trumpi do të japë një "përditësim të rëndësishëm mbi Iranin" në një fjalim kombëtar të planifikuar për të mërkurën në mbrëmje.

Presidenti iranian letër amerikanëve: Perceptimi për Iranin si kërcënim, është produkt i të fuqishmëve

1 muaj më parë / 1 pri 2026 22:11
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ua ka drejtuar një letër amerikanëve ku vë në pikëpyetje nëse “Amerika e Para” është vërtet në mesin e prioriteteve të qeverisë amerikane. Ai ka thënë në letër se lufta me Iranin nuk po u shërben interesave të SHBA-në teksa i nxit amerikanët të shikojnë “përtej retorikës politike” dhe të rikonsiderojnë këndvështrimin e tyre për shtetin e tij.

“Saktësisht cilit prej interesave të popullit amerikan po i shërben kjo luftë? A kishte ndonjë kërcënim objektiv nga Irani për të justifikuar një sjellje të tillë?” ka pyetur presidenti.

Ai ka shtuar tutje se perceptimi për Iranin si kërcënim është “produkt i tekave politike dhe ekonomike të të fuqishmëve” dhe se veprimet e Teheranit deri tash kanë qenë “vetëmbrojtje legjitime”.

Duke theksuar se marrëdhënia mes Iranit dhe SHBA-së është keqkuptuar, ai shtoi se Irani “kurrë, në historinë e tij moderne, nuk ka zgjedhur rrugën e agresionit, zgjerimit, kolonizimit apo dominimit, dhe asnjëherë nuk ka nisur ndonjë luftë”.

Letra e tij është lëshuar disa orë para se presidenti amerikan t’i adresohet amerikanëve për Iranin.

 

Irani mohon se i ka kërkuar Trumpit armëpushim

1 muaj më parë / 1 pri 2026 19:18
Iran - SHBA

Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar pretendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se shteti ka kërkuar armëpushim. 

Zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baqaei, e ka quajtur pretendimin “të rremë dhe i pabazë”, raportoi Al Jazeera. 

Të mërkurën, Trumpi pretendoi se Irani u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës armëpushim dhe se do të konsideronte kërkesën vetëm pasi Irani të hapte Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi të martën në mbrëmje ka deklaruar se lufta në Iran mund të marrë fund brenda dy ose tre javëve.

 

Trump: Irani ka kërkuar armëpushim

1 muaj më parë / 1 pri 2026 15:02
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se presidenti i Iranit i ka kërkuar SHBA-së armëpushim.

Në një postim në Truth Social, Trumpi ka shkruar se do ta shqyrtojnë këtë, atëherë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe e lirë.

“Presidenti i Regjimit të Ri të Iranit, shumë më pak i radikalizuar dhe shumë më inteligjent se paraardhësit e tij, sapo i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës armëpushim. Do ta shqyrtojmë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur, e lirë dhe e pastër. Deri atëherë, po e hedhim Iranin në harresë ose, siç thonë, në Epokën e Gurit!!!”, ka shkruar Trumpi.

Trumpi të martën në mbrëmje ka deklaruar se lufta në Iran mund të marrë fund brenda dy ose tre javëve.

Irani sulmon Izraelin dhe vendet e Gjirit, një i vdekur e dhjetëra të lënduar

1 muaj më parë / 1 pri 2026 09:37
Iran

Photo: Associated Press

Katërmbëdhjetë persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare dhe një djalë 13-vjeçar, janë plagosur nga një sulm iranian në periferi të Tel Avivit në Izrael.

Në një përditësim mbi lëndimet e pësuara në sulm, Magen David Adom, shërbimi i emergjencës së Izraelit, thuhet se vajza ka pësuar lëndime nga fragmentet e një bombe eksploduese dhe është evakuuar në një spital lokal.

Në një përditësim të veçantë, shërbimi thotë se nuk janë raportuar lëndime të mëtejshme pas një tjetër breshërie sulmesh nga Irani.

Forcat Houthi në Jemen kanë marrë përgjegjësinë për sulmin duke thënë se ishte një operacion i përbashkët me Iranin dhe Hezbollahun.

Në një deklaratë, lëvizja Houthi ka thënë se kishte kryer sulmin e saj të tretë me raketa në konflikt "në bashkëpunim me Iranin dhe Hezbollahun në Liban".

Grupi ka kërvënuar me "përshkallëzim të mëtejshëm" nëse Izraeli vazhdon të sulmojë Libanin, Iranin, Irakun, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën.

Ndërkohë, një burrë ka vdekur pasi mbeturinat e një droni ranë në një fermë në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Burri ishte një shtetas i Bangladeshit, kanë njoftuar autoritetet e Emirateve në një deklaratë në mediat sociale.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kapur 1977 dronë dhe 433 raketa balistike që nga fillimi i luftës, ka bërë të ditur të martën ministria e Mbrojtjes e vendit.

Bien çmimet e naftës pasi Trumpi tha se lufta do të përfundojë shumë shpejt

1 muaj më parë / 1 pri 2026 09:27
Nafta

Photo: Associated Press

Çmimet e naftës kanë rënë të mërkurën me më shumë se 3%, duke rënë në vlerën e pak më shumë se 100 dollarëve për fuçi.

Lëvizja vjen pas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump të bërë në Zyrën Ovale të martën në mbrëmje, se SHBA-ja do të largohet nga Irani "shumë shpejt" dhe veprimi ushtarak mund të përfundojë brenda dy ose tre javësh.

Megjithatë, çmimet e naftës së papërpunuar Brent mbeten 39% më të larta krahasuar me 28 shkurtin, kur filloi lufta dhe Irani në mënyrë efektive mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë thelbësore për furnizimet globale me naftë dhe gaz.

Netanyahu: Irani s’përbën më rrezik për ekzistencën e Izraelit

1 muaj më parë / 1 pri 2026 09:21
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se, megjithëse Irani ende ka aftësi për të sulmuar Izraelin, ai nuk mund të kërcënonte më ekzistencën e tij.

Në një fjalim drejtuar kombit, ai detajoi ato që i përshkroi si arritje të mëdha në dobësimin e regjimit iranian dhe aftësive të tij ushtarake, duke thënë se forcat e Izraelit kishin "thyer fuqinë e skuadrave terroriste të Iranit që na rrethuan në një rreth mbytës”. 

Irani ka lëshuar më pak raketa sesa në fillim të luftës, por vazhdon të lëshojë më shumë dronë që fluturojnë ulët dhe janë më të vështirë për t'u kapur.

Netanyahu ka vlerësuar bashkëpunimin me SHBA-në dhe ka thënë se shpresonte që së shpejti të ishte në gjendje të fliste për aleanca të reja në rajon.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën në mbrëmje se lufta në Iran mund të marrë fund brenda dy ose tre javësh.