Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se dëshmitë e Komitetit për trazirat e 6 janarit të vitit 2021 janë turp dhe prodhim teatral i demokratëve. Në një tubim në Nashville, Trumpi është ankuar se dëshmitë janë gjueti shtrigash për të pamundësuar anën e tij të rrëfimit të ngjarjeve.
Ai ka thënë se komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve ka refuzuar të dëgjojë dëshmitë e atyre që i kanë dalë atij në krah, ndërkaq videot e trazirave ka thënë se janë të redaktuara dhe të manipuluara.
Kjo ishte paraqitja e parë e Trumpit qëkur Dhoma e Përfaqësuesve nisi të dëshmojë për përpjekjet e tij të dëshpëruara që të mbetet në pushtet, duke sfiduar demokracinë amerikane.
Dhoma e Përfaqësuesve e ka akuzuar Trumpin për tentim grusht shteti me trazirat e janarit, mirëpo ish-presidenti e ka cilësuar si protestë të thjeshtë që doli nga duart.
Burimet e afërta me Trumpin kanë paralajmëruar se shumë shpejt ai mund të nisë betejën për kandidim për garën presidenciale. Në muajt e fundit, Trumpi ka nisur fushatën e tij në përpjekje për të forcuar figurën para se të vendosë për garën brendapartiake për të fituar nominimin.