Botë

Trumpi planifikon t’ia ndërrojë emrin Gjirit Persik

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka planifikuar të lajmërojë gjatë vizitës së tij të javës së ardhshme në Arabinë Saudite se SHBA-ja do t’i referohet Gjirit Persik tanimë vetëm si “Gjiri Arab” apo “Gjiri i Arabisë”, ka raportuar The Guardian.

Kjo lëvizje ka hasur në kundërshtimin e liderëve iranianë.

Të mërkurën, kryediplomati i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se emrat e kanaleve ujore në Lindjen e Mesme nuk “janë nën pronësinë e ndonjë vendi përkatës, por reflektojnë një respekt të përbashkët për trashëgiminë kolektive të njerëzimit”.

“Përpjekjet e motivuara politikisht për të ndryshuar emrin e betonuar historikisht të Gjirit Persik janë tregues për prirjet armiqësore kundrejt Iranit dhe popullit të tij, si dhe dënohen fuqishëm”, ka shkruar Aragchi në rrjetin social X.

Vendet arabe kanë kërkuar një ndryshim të emrit gjeografik të trupit ujor në brigjet jugore të Iranit, teksa Republika Islamike ka mbrojtur lidhjet e saj historike me gjirin.

Gjiri Persik është njohur gjerësisht me atë emër që nga shekulli i 16-të, megjithëse përdorimi i termave “Gjiri i Arabisë” dhe “Gjiri Arab” është i përhapur në shumë vende të Lindjes së Mesme. Qeveria e Iranit, dikur Persia, pati kërcënuar me padi gjigantin teknologjik Google në vitin 2012 për vendimin e kompanisë për të mos e emërtuar fare trupin ujor në hartat e saj.

Ky veprim vjen disa muaj pasi Trumpi pati thënë se SHBA-ja do t’i referohej Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.