Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Irani e ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit , duke paralajmëruar se do të vazhdojë të bllokojë kalimin e anijeve për sa kohë që bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi.

Mëngjesin e së shtunës presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mund të mos e zgjasë armëpushimin e përkohshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nëse negociatat dështojnë të prodhojnë një marrëveshje deri të mërkurën, duke rritur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Delegacionet amerikane dhe iraniane pritet të zhvillojnë një raund të dytë negociatash për paqe të hënën, thanë burime iraniane për CNN.

Ndërsa zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar se negociatat janë planifikuar, Trump më parë shprehu besim se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje.

E, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili kryesoi delegacionin e Iranit në bisedimet e fundit me SHBA-në në Islamabad, ka thënë se Trumpi "bëri shtatë pretendime në një orë, të shtatë prej të cilave ishin të rreme".

"Ata nuk e fituan luftën dhe sigurisht që nuk do të arrijnë askund në negociata me këto gënjeshtra", ka shkruar Ghalibaf.

Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, ai theksoi se, me "vazhdimin e bllokadës [amerikane]", ngushtica "nuk do të mbetet e hapur".

Ndërkohë, në Liban, 24 orët e para të armëpushimit 10-ditor kanë kaluar dhe duket se ai po vazhdon, pavarësisht se Libani akuzon Izraelin për disa shkelje të armëpushimit.

Trump pas sulmeve në Hormuz: Irani po bëhet i këndshëm

1 muaj më parë / 18 pri 2026 19:42
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Irani “po bëhet pak i këndshëm” pasi luftanijet e tij sulmuan anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit të shtunën.

Irani e mbylli rrugën detare si përgjigje ndaj bllokadës amerikane ndaj porteve të saj. Pas mbylljes, Garda Revolucionare Iraniane shtiu mbi anije.

“Ata po bëhen të këndshëm, siç kanë bërë që 47 vjet”, ka thënë Trumpi në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk kanë marinë, s’kanë as forcë ajrore. Nuk kanë as liderë. Nuk kanë asgjë”, ka shtuar ai.

Ushtria britanike: Anijet iraniane hapin zjarr ndaj një cisterne që po kalonte nëpër Hormuz

1 muaj më parë / 18 pri 2026 13:23
ngushtica

Photo: Associated Press

Ushtria britanike ka thënë se dy anije të armatosura të Gardës Revolucionare të Iranit hapën zjarr ndaj një anije-cisternë që po kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani kishte njoftuar se kishte rivendosur kufizime në këtë rrugë ujore.

Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar bëri të ditur se anija dhe ekuipazhi janë të sigurt, pa dhënë detaje për anijen apo destinacionin e saj, raportoi AP. 

Irani gjatë luftës shtatëjavore ka penguar kalimin e anijeve, përveç atyre që ka autorizuar vetë.

Të enjten, Irani kishte njoftuar rihapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit pas një marrëveshjeje të veçantë armëpushimi 10-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe Libanit.

Por të shtunën, Komanda e forcave të armatosura të Iranit tha se tranziti përmes ngushticës ishte rikthyer në një gjendje kontrolli të rreptë ushtarake iraniane, duke përmendur atë që e përshkroi si shkelje të përsëritura të SHBA-së dhe akte "piraterie".

Irani thotë se nuk do t’ia dorëzojë SHBA-së uraniumin e pasuruar

1 muaj më parë / 18 pri 2026 13:15
Iran - SHBA

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, hodhi poshtë pretendimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me uraniumin dhe u shpreh me rezerva në lidhje me bisedimet e ardhshme midis dy vendeve.

Khatibzadeh për Associated Press ka thënë se iranianët nuk ishin gati për një raund të ri bisedimesh ballë për ballë me SHBA-në, sepse amerikanët "nuk e kanë braktisur pozicionin e tyre maksimalist".

Të premten, Trump theksoi se SHBA-ja do të shkojë në Iran dhe "do të marr të gjithë pluhurin bërthamor", duke iu referuar 440 kilogramëve uranium të pasuruar që besohet se është nën vendet objektet bërthamore të dëmtuara rëndë nga sulmet ushtarake amerikane vitin e kaluar. 
 

Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës amerikane

1 muaj më parë / 18 pri 2026 11:10
ngushtica

Photo: Associated Press

Irani njoftoi se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është "rikthyer në gjendjen e mëparshme" për shkak të debatit të vazhdueshëm me SHBA-në mbi bllokadën detare të porteve iraniane.

Në një deklaratë të transmetuar nga mediat iraniane, komanda operative e ushtrisë iraniane, Khatam Al-Anbiya, e përshkroi bllokadën e vazhdueshme të SHBA-së si "pirateri", duke thënë: "Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo rrugë ujore strategjike është nën menaxhimin dhe kontrollin e rreptë të forcave të armatosura".

"Derisa SHBA-ja të rivendos lirinë e plotë të lundrimit për anijet nga Irani në një destinacion dhe nga një destinacion përsëri në Iran, situata në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet e kontrolluar rreptësisht dhe në gjendjen e saj të mëparshme".

Ky hap ka shkaktuar konfuzionin mbi statusin e rrugës kryesore ujore që transportonte një të pestën e furnizimeve globale me naftë para luftës. Gjatë ditës së djeshme, Irani dhe presidenti amerikan, Donald Trump njoftuan se ngushtica ishte rihapur për transportin detar, por presidenti amerikan tha se bllokada amerikane "do të mbetet në fuqi të plotë" derisa Teherani të arrijë një marrëveshje me Washingtonin, përfshirë edhe mbi programin e tij bërthamor.
 

Izraeli vendos “vijat e verdha” në Liban, njëjtë me ato kur e ndau Gazën

1 muaj më parë / 18 pri 2026 09:54
tank

Tanke izraelite

Photo: Associated Press

Izraeli do të vendosë të ashtuquajturën "vijë të verdhë" në Liban, duke u ndaluar banorëve të kthehen në zonat e pushtuara nga ushtria izraelite, sipas zyrtarëve të lartë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Kjo taktikë u përdor për ta ndarë Gazën, ku e ashtuquajtura "vijë e verdhë" përcakton një zonë të pushtuar nga ushtria izraelite si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit për t'i dhënë fund luftës dyvjeçare dhe ajo zonë tani është e paqasshme për banorët.

"Modeli i 'vijës së verdhë' nga Gaza do të kopjohet edhe në Liban, dhe IDF tashmë ka përcaktuar një 'vijë të verdhë' deri në të cilën forcat e IDF-së po veprojnë aktualisht", thanë zyrtarët e lartë.

Banorët nuk do të lejohen të kthehen në 55 fshatrat libaneze brenda zonës.

"IDF është e autorizuar të vazhdojë shkatërrimin e infrastrukturave terroriste atje edhe gjatë armëpushimit", shtuan ata.

Të premten, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, theksoi se IDF "do të vazhdojë të mbajë të gjitha vendet që ka pastruar dhe kapur".

Disa banorë në Libanin jugor kanë filluar të kthehen në shtëpi ndërsa armëpushimi në vend hyri në fuqi.
 

Trump: SHBA-ja do ta marrë uraniumin e Iranit në një formë a tjetër

1 muaj më parë / 18 pri 2026 08:56
trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit në një mënyrë ose tjetër, duke paralajmëruar se transferimi i tyre do të bëhej “në një formë shumë më armiqësore” nëse negociatat dështojnë. 

Ai më parë pati thënë se Irani ishte “pajtuar për gjithçka” në bisedimet me SHBA-në, përfshirë punën e përbashkët për të larguar uraniumin e pasuruar nga vendi dhe dërgimin në SHBA. 

“Jo. Jo trupa”, ka deklaruar Trumpi për CBS kur u pyet nëse përpjekja për marrjen e uraniumit do të kërkonte trupa amerikane në terren. Ai shtoi se do të shkonin bashkë me palën iraniane dhe nga aty do ta merrnin në SHBA, raportoi CNN. 

“Do ta marrim së bashku sepse deri atëherë ne do të kemi një marrëveshje dhe nuk ka nevojë për luftë kur të ketë një marrëveshje”, ka theksuar ai. 

Më vonë gjatë një tubimi në Arizona, Trumpi përsëriti pretendimin derisa theksoi pikat kyç të marrëveshjes me Iranin. 

“SHBA-ja do të marrë të gjithë pluhurin bërthamor. E dini çfarë është pluhuri bërthamor? Është ajo substanca e bardhë pluhur e krijuar nga bombarduesit tanë B2... Ne do ta merrnim gjithsesi”, ka potencuar ai. 

Trumpi e ka përdorur termin “pluhur bërthamor” për t’iu referuar rezervës së uraniumit të pasuruar, por ky nuk njihet si term në industrinë e energjisë bërthamore.

Një zyrtar i lartë i Iranit ka mohuar se Irani është pajtuar që t’ia dërgojë SHBA-së rezervat e uraniumit. Po ashtu, ka mohuar pretendimin e Trumpit se Irani do ta ndërprejë pasurimin e uraniumit duke thënë se Irani “kurrë nuk do të pranojë përjashtim nga e drejta ndërkombëtare”.