Botë

Trumpi ofron detaje të reja mbi kontrollin mjekësor që ka kryer

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur energjinë dhe shëndetin e tij në një intervistë për The Wall Street Journal dhe zbuloi se kishte bërë një CT, e jo një skanim MRI, gjatë një ekzaminimi në tetor, për të cilin ai dhe Shtëpia e Bardhë kishin dhënë me vonesë detaje, transmeton agjencia “AP”.

Trump, në intervistë, tha se ishte penduar që kishte kryer skanim të avancuar të zemrës dhe barkut gjatë një vizite në tetor në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Walter Reed”, sepse kjo ngriti pyetje publike rreth shëndetit të tij. Mjeku i tij tha në një memorandum që Shtëpia e Bardhë publikoi në dhjetor se ai kishte kryer “imazheri të avancuar” si një kontroll parandalues për burra të moshës së tij.

Trump 79-vjeçar fillimisht e kishte përshkruar ekzaminimin si një MRI, por tha se nuk e dinte se cilën pjesë të trupit ia kishin skanuar. Një skanim CT është një formë më e shpejt e imazherisë diagnostikuese sesa një MRI, por ofron më pak detaje për dallimet në inde.

Mjeku i presidentit, kapiteni i Marinës Sean Barbabella, tha në një deklaratë të publikuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë se Trumpi iu nënshtrua ekzaminimit në tetor, sepse planifikonte të ishte në “Walter Reed” për të takuar njerëzit që punonin atje. Trumpi kishte kryer një kontroll vjetor në prill.

“Presidenti Trump pranoi të takonte stafin dhe ushtarët në Spitalin Mjekësor ‘Walter Reed’ në tetor. Për të shfrytëzuar sa më mirë kohën e presidentit në spital, ne rekomanduam që ai t’i nënshtrohej një tjetër vlerësimi rutinë fizik për të siguruar shëndet optimal të vazhdueshëm”,  tha Barbabella.
Barbabella tha se i kërkoi presidentit t’i nënshtrohej një skanimi CT ose një MRI “për të përjashtuar përfundimisht çdo problem kardiovaskular” dhe se rezultatet ishin “krejtësisht normale dhe nuk zbuluan absolutisht asnjë anomali.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha në një deklaratë të enjten se mjekët e presidentit dhe Shtëpia e Bardhë kanë “mbajtur gjithmonë qëndrimin se presidenti ka marrë skanim të avancuar”, por shtoi se “detaje shtesë mbi imazherinë janë zbuluar nga vetë presidenti” sepse ai “nuk ka asgjë për të fshehur.”

“Në retrospektivë, ndihem keq që e bëra, sepse u dha atyre pak municion”, tha Trump në intervistën për The Wall Street Journal të publikuar të enjten. “Do të kisha qenë shumë më mirë nëse nuk do ta kisha bërë, sepse fakti që e bëra tha: ‘Oh, çfarë po ndodh, a ka diçka që nuk shkon?’ Epo, s’ka asgjë që nuk shkon”.

79-vjeçari u bë personi më i moshuar që u betua si president i SHBA-së vitin e kaluar dhe ka qenë i ndjeshëm ndaj pyetjeve për shëndetin e tij, veçanërisht pasi ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje aftësinë e paraardhësit të tij, Joe Biden, për ta ushtruar detyrën.

Bideni mbushi 82 vjet në vitin e fundit të presidencës së tij, dhe u përball vazhdimisht me pyetje lidhur me aftësinë e tij për ta ushtruar detyrën.

Por edhe rreth shëndetit të Trump kanë qarkulluar pyetje vitin e kaluar, pasi ai është parë me mavijosje në pjesën e pasme të dorës së djathtë, të cilat kanë qenë të dukshme pavarësisht një shtrese të trashë grimi sipër, si edhe me ënjtje të dukshme në kyçe të këmbëve.

Shtëpia e Bardhë tha këtë verë se presidenti ishte diagnostikuar me insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme tek personat në moshë. Kjo gjendje ndodh kur venat në këmbë nuk arrijnë të kthejnë siç duhet gjakun drejt zemrës dhe ai grumbullohet në pjesët e poshtme të këmbëve.

Në intervistë, Trump tha se kishte provuar për pak kohë të mbante çorape kompresioni për ta adresuar ënjtjen, por i kishte ndërprerë sepse nuk i pëlqenin.

Mavijosjet në dorën e Trump, sipas Leavitt, vijnë nga “shtrëngimet e shpeshta të duarve dhe përdorimi i aspirinës”, të cilën Trump e merr rregullisht për ta ulur rrezikun e infarktit dhe sulmit në tru.
Trump tha se merr më shumë aspirinë sesa rekomandojnë mjekët e tij, por tha se ka rezistuar ndaj marrjes së një doze më të vogël sepse e ka marrë për 25 vjet dhe është “pak supersticioz”.  Trump merr 325 miligramë aspirinë çdo ditë, sipas mjekut Barbabella.

“Ata thonë se aspirina është e mirë për hollimin e gjakut, dhe unë nuk dua gjak të trashë që rrjedh nëpër zemrën time”, tha Trump. “Unë dua gjak të bukur, të hollë që rrjedh nëpër zemrën time. A ka kuptim kjo?”

Trump, në intervistë, mohoi se kishte fjetur gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë kur kamerat e kanë kapur me sytë mbyllur, duke këmbëngulur se thjesht po pushonte sytë ose po mbyllte sytë për një çast.

“Unë thjesht i mbyll. Është shumë relaksuese për mua”, tha ai. “Ndonjëherë ata do të më bëjnë një foto teksa po pulis, pulis, dhe do të më kapin me atë pulitje.”

Ai tha se kurrë nuk ka fjetur shumë natën, një zakon që e kishte përshkruar edhe gjatë mandatit të tij të parë, dhe tha se e nis ditën herët në rezidencën në Shtëpinë e Bardhë përpara se të shkojë në Zyrën Ovale rreth orës 10 të paradites dhe të punojë deri në orën 7 ose 8 të mbrëmjes.

Trumpi hodhi poshtë pyetjet për dëgjimin e tij, duke thënë se ka vështirësi vetëm “kur ka shumë njerëz që flasin”, dhe tha se ka plot energji, të cilën ia atribuon gjeneve të tij.

“Gjenetika është shumë e rëndësishme”, tha ai. “Dhe unë kam gjenetikë shumë të mirë.”