Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi hodhi poshtë propozimin iranian, rriten çmimet e naftës

Donald Trump

Foto: Associated Press

Çmimet e naftës janë rritur pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se përgjigjja e Iranit ndaj propozimeve të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës ishte "krejtësisht e papranueshme".

Teherani zyrtar ka dërguar përgjigjen e tij nëpërmjet Pakistanit, i cili ka shërbyer si ndërmjetës midis dy palëve, duke kërkuar një përfundim të menjëhershëm të konfliktit, dhe garanci që s’do të ketë sulm të mëtejshëm SHBA-Izrael ndaj Iranit, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim të Iranit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Çmimi ndërkombëtar i naftës Brent është rritur me 4.1% në 105.50 dollarë për fuçi në tregtinë aziatike, përpara se të binte pak.

Rruga ujore kryesore e Ngushticës së Hormuzit është mbyllur në mënyrë efektive që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, duke ndërprerë rëndë furnizimet globale me naftë dhe gaz.

Duke iu përgjigjur kushteve të Teheranit, Trumpi ka postuar në mediat sociale se nuk i pëlqente përgjigja e Iranit.

Kushtet e Uashingtonit në propozimin 1 faqësh përfshinin rivendosjen e tranzitit të lirë përmes

Ngushticës së Hormuzit dhe pezullimin e pasurimit bërthamor iranian, sipas agjencisë amerikane të lajmeve Axios.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë gjithashtu se lufta me Iranin nuk do të mbarojë derisa rezervat e tij të uraniumit të pasuruar të "nxirren jashtë loje".

Një armëpushim i shpallur në fillim të prillit për të lejuar kohë për bisedime paqeje kryesisht është respektuar, pavarësisht shkëmbimeve të herëpashershme të sulmeve. 

Ngërçi SHBA-Iran rrit çmimet e naftës ndërsa mbyllja e Hormuzit vazhdon

1 muaj më parë / 11 maj 2026 19:07 Nga: Reuters
Hormuz

Photo: Associated Press

Refuzimi i shpejtë nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj përgjigjes së Iranit për një propozim amerikan për paqe, ka shtuar shqetësimet se konflikti 10-javor do të zgjasë dhe do të vazhdojë të paralizojë transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, duke rritur çmimet e naftës të hënën.

Çmimi ndërkombëtar i naftës Brent është rritur me 4.1% në 105.50 dollarë për fuçi, përpara se të binte pak.

Disa ditë pasi Washingtoni paraqiti një propozim që synonte rifillimin e negociatave, Irani publikoi të dielën një përgjigje të përqendruar në përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, ku aleati amerikan, Izraeli, po lufton kundër militantëve të Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Teherani zyrtar ka kërkuar gjithashtu kompensim për dëmet e luftës, të theksohej sovraniteti i tij mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund bllokadës detare, të garantojnë se nuk do të ketë sulme të tjera, të heqin sanksionet dhe të heqin ndalimin mbi shitjen e naftës iraniane.

Brenda pak orësh, Trumpi ka hedhur poshtë ofertën e Teheranit në një postim në rrjetin social Truth Social.

“Nuk më pëlqen — Plotësisht e papranueshme”, ka shkruar Trumpi pa dhënë detaje të tjera.

Shtetet e Bashkuara kishin propozuar ndalimin e luftimeve përpara nisjes së bisedimeve mbi çështje më të ndjeshme, përfshirë programin bërthamor të Iranit.

Teherani reagoi të hënën duke mbrojtur qëndrimin e tij.

“Qëndrimi ynë është legjitim: kërkojmë fundin e luftës, heqjen e bllokadës amerikane dhe lirimin e aseteve iraniane që janë ngrirë padrejtësisht në banka për shkak të presionit amerikan”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei.

“Kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit dhe vendosja e sigurisë në rajon dhe në Liban ishin kërkesa të tjera të Iranit, të cilat konsiderohen një ofertë bujare dhe e përgjegjshme”, ka shtuar ai.

Ngërçi e ka lënë Ngushticën e Hormuzit kryesisht të mbyllur. Para fillimit të luftës më 28 shkurt, nëpër këtë rrugë të ngushtë ujore transportohej një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë dhe që atëherë është bërë një pikë kyç presioni në konflikt.

Ndërprerjet e shkaktuara nga mbyllja pothuajse totale e ngushticës kanë detyruar prodhuesit e naftës të ulin eksportet dhe prodhimi i OPEC ka rënë më tej në prill në nivelin më të ulët në më shumë se dy dekada, sipas një sondazhi të Reuters.

Trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit është reduktuar ndjeshëm krahasuar me periudhën para luftës. Të dhënat e transportit detar nga Kpler dhe LSEG treguan se javën e kaluar vetëm tre cisterna me naftë bruto dolën nga kjo rrugë ujore, me sistemet e gjurmimit të fikura për të shmangur sulmet iraniane.

Përplasje sporadike rreth ngushticës ditët e fundit kanë vënë në provë armëpushimin që ka ndalur luftimet e plota që nga hyrja e tij në fuqi në fillim të prillit.

Ndërkohë Washingtoni ka hasur vështirësi në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare, pasi aleatët e NATO-s kanë refuzuar të dërgojnë anije për të rihapur rrugën ujore pa një marrëveshje të plotë paqeje dhe një mision të mandatuar ndërkombëtarisht.

Hapat e ardhshëm diplomatikë ose ushtarakë mbeten të paqartë. Trumpo pritet të mbërrijë në Pekin të mërkurën, ku Irani pritet të jetë ndër temat e diskutuara me presidentin kinez, Xi Jinping. 

Irani hedh poshtë kritikat e Trumpit, thotë se propozimi i tyre ishte "bujar"

1 muaj më parë / 11 maj 2026 14:27
Esmail Baghaei

Propozimi më i fundit i Iranit për t'i dhënë fund luftës SHBA-Izrael ishte i arsyeshëm dhe bujar, ka thënë të hënën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, pas hedhjes poshtë të tij nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

"Çdo gjë që propozuam në tekstin tonë përbëhej nga kërkesa të arsyeshme, kërkesa të përgjegjshme dhe propozime bujare - jo vetëm për interesat kombëtare të Iranit, por për të mirën, stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit dhe botës", ka thënë Baghaei gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga televizioni iranian.

Trumpi të dielën e ka quajtur propozimin nga Irani "krejtësisht të papranueshëm".

Kërkesat e Teheranit përfshinin përfundimin e luftës në rajon, përfundimin e asaj që Baghaei e ka quajtur "pirateri detare kundër anijeve iraniane" dhe lirimin e aseteve iraniane që janë "ngrirë në bankat e huaja për shkak të presionit të SHBA-së", ka thënë zyrtari iranian.

Media shtetërore iraniane ka raportuar se kërkesat në kundërpropozimin e Iranit përfshinin gjithashtu njohjen e sovranitetit mbi Ngushticën e Hormuzit të bllokuar dhe kompensimin për dëmet e luftës.

“Lidhur me vazhdimin e procesit, ne kemi treguar se pavarësisht nga të gjitha shqetësimet, ne jemi të përqendruar në interesat kombëtare të Iranit. Ne do të veprojmë në çdo mënyrë të nevojshme për të siguruar interesat tona”, ka thënë Baghaei, duke folur për kundërshtimin e Trumpit ndaj planit iranian.