Botë

Trumpi e shqyrtonte bartjen e amerikanëve me COVID-19 në Guantanamo

Ish-presidenti amerikan, sipas librit të gazetarëve Yasmeen Abutaleb dhe Damian Paletta, kishte pyetur pjesëtarët e stafit të tij nëse kampi i burgimit do të mund të shfrytëzohej për strehimin e amerikanëve të infektuar me koronavirus

Ish-presidenti Donald Trump e kishte shqyrtuar mundësinë që t’i dërgonte shtetasit amerikanë të infektuar me koronavirus në kampin e burgimit Guantanamo në Kubë, ka zbardhur të martën një libër i ri.

“A nuk e kemi një ishull që e posedojmë?”, kishte pyetur Trumpi stafin e tij në Dhomën e Krizave, gjatë shkurtit të 2020-s, ka treguar libri i shkruar nga reporterët e së përditshmes “Washington Post”. “Si thoni për Guantanamon?”.

Guantanamo është një kamp burgimi në Kubë, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përdorin për burgosjen e të akuzuarve për krime serioze, përfshirë luftëtarët e angazhuar në luftërat e huaja dhe ata që kanë qëndruar prapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Importojmë mallra”, citon libri ish-presidentin Trump, i cili më vonë është prekur edhe vetë nga sëmundja COVID-19, tek i kishte thënë asokohe stafit të tij. “Nuk do ta importojmë një virus”, ka shtuar ai, sipas librit, fragmentet e së cilës i ka publikuar të martën Al-Jazeera.

Këto komente ai i kishte bërë pak para se rastet me koronavirus të shpërthenin në Amerikë. Administrata Trump është ballafaquar me kritika të ashpra lidhur me menaxhimin e pandemisë, e cila ka lënë më shumë se 601 mijë të vdekur, sipas përllogaritjeve të Universitetit Johns Hopkins. Shumica e këtyre të vdekurve, përafërsisht 400 mijë, kanë ndodhur gjatë mandatit të administratës Trump.

Libri i ri zbardh se si ndihmësit e Trumpit ishin shtangur kur ishin pyetur nga presidenti rreth Guantanamos. Ata e kanë hedhur poshtë idenë kur ajo u është ngritur për herën e dytë, ka raportuar “Washington Post”.

Libri “Nightmare Scenario: Inside Trump Administration’s Response to the Pandemic That Changed History” është shkruar nga gazetarët e “Postit”, Yasmeen Abutaleb dhe Damian Paletta.

Përmbajtja e librit përqendrohet në intervistat e realizuara me këshilltarët e lartë të Trumpit dhe me zyrtarët shëndetësorë, të cilët kanë shpalosur bisedat që e karakterizuan përgjigjen e administratës ndaj pandemisë, ka shkruar Al-Jazeera.

“Testimet po më vrasin!”, citon libri pretendimin e Trumpit adresuar sekretarit të atëhershëm të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar, më 18 mars. “Do t’i humbas zgjedhjet shkaku i testimeve! Cili idiot bëri që qeveria federale të bënte testime?”.

Pesë ditë para kësaj dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, kishte marrë përsipër menaxhimin e strategjisë së testimeve në SHBA. E pyetjes së Trumpit, Azar thuhet t’i ishte përgjigjur: “Uh, mendoni për Jaredin?”.

Libri zbardh gjithashtu se Trumpi kishte dashur që t’i shkarkonte Robert Kadlecin, shefin e atëhershëm të emergjencave në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, si dhe një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit, shkaku i roleve që ata kishin luajtur në lejimin e 14 shtetasve amerikanë të infektuar me koronavirus që të hipnin në bordin e një anijeje që kthehej në SHBA.

Në këtë përpjekje Trumpi nuk kishte korrur sukses, sikurse edhe me zyrtarët e tjerë, ka bërë të ditur libri, raporton Al-Jazeera.

Tensionet midis Trumpit dhe burokratëve kanë shkaktuar telashe të tjera, kanë bërë të ditur Abutaleb dhe Paletta.

Në vend të shkarkimit të Anthony Faucit, drejtorit të atëhershëm të Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse, ekipi i Trumpit kishte neglizhuar rekomandimet e tij dhe të zyrtarëve të tjerë shëndetësorë, duke i favorizuar ato të ekspertëve ekonomikë dhe të Kushnerit, specifikon libri. Fauci dhe Trumpi kanë pasur përplasje të vazhdueshme, si në rastin e rekomandimit dhënë nga ish-presidenti për përdorimin e ilaçit antimalarie, hidroksiklorikinë, dhe të barnave të tjera që nuk përkraheshin shkencërisht për luftimin e koronavirusit.

“Në përgjithësi, mjedisi i punës thartohej teksa pandemia përkeqësohej”, thuhet në libër.

Abutaleb dhe Paletta e kanë përshkruar këtë mjedis si “tejet toksik, në të cilin kudo që kthehesh, dikush ishte gati për të ta shkulur kokën apo për të të kërcënojë me shkarkim”, ka raportuar Al-Jazeera. \ Al-Jazeera