Presidenti amerikan Donald Trump të premten tha se konflikti në Iran është “gjë e vogël”, ndërsa mbrojti zëvendëspresidentin JD Vance për deklaratën e tij se muaj të tërë sulmesh të ndërprera në Lindjen e Mesme nuk janë “luftë”.
I pyetur gjatë një bisede në Zyrën Ovale për komentet e Vances të bëra një ditë më parë, Trumpi tha se sulmet amerikane ndaj Iranit tani janë “të ndërprera” dhe se “shumë njerëz nuk e quajnë luftë”. Konflikti u ka kushtuar taksapaguesve amerikanë më shumë se 37.5 miliardë dollarë dhe ka lënë të vrarë 18 pjesëtarë të forcave amerikane.
“E kuptoj se çfarë po thotë ai”, tha Trump. “Unë e quaj konflikt ushtarak sepse për ne është gjë e vogël. Nuk është diçka e madhe”.
Vance, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë të enjten, kundërshtoi përdorimin e fjalës “luftë” për t’i përshkruar luftimet e SHBA-së me Iranin dhe shmangu parashikimin se konflikti gjashtëmujor do të përfundonte deri në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, në të cilat republikanët po përpiqen ta ruajnë shumicën në Kongres.
“Unë nuk do ta quaja luftë”, tha Vance pasi u pyet nëse luftimet mund të përfundonin para se votuesit të hidhnin votat e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit. “Për momentin, nuk ka të shtëna aktive”.
Deklarata e Vance erdhi edhe pse Irani sulmoi me raketa Kuvajtin, aleatin e SHBA-së në Gjirin Persik, të enjten, në shenjë hakmarrjeje ndaj disa valëve të sulmeve amerikane ndaj Iranit në fillim të javës.
Trumpi, gjatë bisedës me gazetarët të premten, shtoi se numri i viktimave amerikane në konfliktin me Iranin është relativisht më i ulët krahasuar me disa luftëra të tjera të fundit të SHBA-së. SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer vetëm sulme ajrore në luftën me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt, dhe nuk kanë dërguar trupa brenda vendit.
“Ne bëmë aksionin në Venezuelë dhe e bëmë këtë. Në Venezuelë, nuk humbëm askënd”, tha Trump, duke iu referuar operacionit ushtarak amerikan të janarit për kapjen e ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe dërgimin e tij në New York për t’u përballur me akuzat federale për trafik droge. “Ndërsa në këtë rast, humbëm 18 njerëz. Dhe në Vietnam humbëm 100,000 njerëz. Dhe në konflikte të tjera, humbëm dhjetëra mijëra njerëz”.
Gjithsej 58,220 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane vdiqën gjatë Luftës së Vietnamit, sipas të dhënave të Arkivave Kombëtare të SHBA-së.
I pyetur nga një gazetar se si mund ta quante konfliktin “gjë të vogël” kur janë vrarë 18 pjesëtarë të forcave amerikane, Trump përsëriti argumentin e tij se konflikti – për të cilin ai kishte thënë në fillim të luftës se do të zgjaste vetëm disa javë – ka çuar në dobësimin e programit bërthamor të Iranit.
“Irani nuk do të ketë armë bërthamore, sepse nëse do ta kishte, ndoshta ju nuk do të ishit duke qëndruar këtu”, tha Trump.