Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi anulon samitin e G7-ës për shkak të koronavirusit

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të anulojë një takim kokë më kokë me liderët e të G7-ës në Camp David në qershor për shkak të koronavirusit dhe në vend të takimit do të mbajë një video-konferencë, ka thënë të enjten Shtëpia e Bardhë.

Vendimi vjen pasi shumë vende nëpër botë po i mbyllin kufijtë dhe po i ndalojnë udhëtimet për të ndaluar përhapjen e virusit.

Trumpi mbajti një video-konferencë me liderët e vendeve më të industrializuara të botës gjatë kësaj jave dhe planifikon të përsërisë këtë edhe në prill, kur ishte planifikuar të mbahej takimi fizik.

Këshilltari për ekonomi në Shtëpinë e Bardhë, Larry Kudlow, i cili shërben edhe si “organizator” i Trumpit për G7-ën, i ka njoftuar homologët e tij për këtë veprim, raporton Reuters.

Trumpi kishte pasur për qëllim që takimin e G7-ës ta përqendronte në ekonomi, duke shmangur temat tradicionale që shpesh kanë kryesuar agjendën, siç është ajo e ndryshimeve klimatike. Ai fillimisht planifikoi të mblidhte grupin e liderëve në një prej pronave të tij në Florida, por i anuloi ato plane pas kritikave se do të përfitonte financiarisht ai personalisht nga takimi, transmeton KOHA.

G7 përbëhet nga SHBA-ja, Italia, Japonia, Kanadaja, Franca, Gjermania Britania si dhe Bashkimi Evropian. Trumpi irritoi Evropën pasi vendosi ndalesë udhëtimi për qytetarët e vetë para se t’i lajmëronte fillimisht liderët evropianë. Evropa është bërë epiqendër e koronavirusit.

Artikuj të ngjashëm