Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes si “Departamenti i Luftës”, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale se ishte një emër më “i përshtatshëm” duke pasur parasysh gjendjen aktuale në botë. Ky emër ishte larguar në vitin 1947.
“Mendoj se është një emër shumë më i përshtatshëm, veçanërisht duke pasur parasysh se ku ndodhet bota tani. Ne kemi ushtrinë më të fortë në botë”, tha Trump, përpara se të nënshkruante urdhrin.
Urdhri autorizon Sekretarin e Mbrojtjes, Peter Hegseth, Departamentin e Mbrojtjes dhe zyrtarët vartës të përdorin tituj dytësorë si "Sekretar i Luftës", "Departamenti i Luftës" dhe "Zëvendës Sekretar i Luftës" në korrespondencën zyrtare, komunikimet publike, kontekstet ceremoniale dhe dokumentet jo-statutore brenda degës ekzekutive, sipas një dokumenti faktesh të siguruar nga CNN.
Pak pasi Trump nënshkroi urdhrin, uebfaqja zyrtare e Pentagonit i ridrejtoi vizitorët te faqja “]ar.org”.
Hegseth përditësoi profilin në “X” me ndryshimin, ndërsa postoi edhe video duke treguar largimin e pllakatës “Sekretari i Mbrojtjes” dhe vendosjen e “Sekretari i Luftës”.
“Departamenti i Luftës do të luftojë me vendosmëri, jo në konflikte të pafundme. Do të luftojë për të fituar, jo për të humbur. Do të shkojmë në sulm, jo në mbrojtje”, ka thënë Hegseth.
