Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.
Video-mesazhi i publikuar nga Trump në rrjetet sociale, vjen si kundërpërgjigje pas nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se ai, përmes bllokimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë kundërshtarin e tij politik, ish-zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.
Trump tha se demokratët - të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit - duan “të marrin gjithçka”.
Ai tha se demokratët “duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj... dhe unë kurrë nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë”.
Në thelb të këtij skandali është publikimi i një raporti të një informatori, i cili ka treguar detaje për telefonatën e 25 korrikut ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin - i cili është kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë.
Trump, kishte bllokuar ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte.
Edhe
Biden kërkon shkarkimin e Trumpit
Shtëpia e Bardhë, më 25 shtator, publikoi një transkript prej pesë faqesh të bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.
Sipas një memoje, Trump i ka thënë Zelenskiyt se avokati i tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të ndiqnin hetimin në Ukrainë dhe ata do të ishin kontakti kryesor për këtë çështje.