Botë

Trump: Po të mos bombardohej, Irani s’do të pajtohej me armëpushim

Mark Rutte dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se sulmi amerikan ndaj lokacioneve bërthamore të Iranit "ishte një sulm shkatërrues" i cili "i la ata në baltë".

Në një konferencë për media të mërkurën në Hagë para samitit të NATO-s, Trumpi ka thënë se nëse objektet e tyre nuk do të shkatërroheshin, atëherë qeveria iraniane "nuk do të ishte pajtuar" dhe nuk do të kishte rënë dakord për një armëpushim.

Trumpi është pyetur se për sa kohë mendon se programi bërthamor iranian është penguar nga sulmet.

"Mendoj se praktikisht për dekada”, është përgjigjur ai. "Mendoj se thjesht kanë kaluar nëpër ferr... gjëja e fundit që duan të bëjnë është të pasurojnë. Kjo goditje i dha fund luftës”, ka shtuar ai.

Një vlerësim i hershëm i inteligjencës së Pentagonit për sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, i cili ka rrjedhur të martën thotë se ato nuk e shkatërruan programin bërthamor të vendit dhe ndoshta e vonuan atë vetëm "disa muaj, maksimumi".

Trumpi e ka hedhur poshtë më parë vlerësimin.

Ndërkohë, ai ka sugjeruar po ashtu të mërkurën para samitit të NATO-s se po bëhet "përparim i madh" për të zgjidhur luftën në Gaza.

E sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka folur për raportin e rrjedhur të inteligjencës, duke thënë se "objekti i konvertimit" i nevojshëm për të bërë bomba bërthamore është çmontuar dhe nuk mund të shihet më. Ai nuk specifikon se ku ndodhej ky vend.

"Çdo gjë poshtë atij mali është në gjendje të keqe", ka thënë, duke shtuar se Irani tani është "shumë prapa" në programin e tij bërthamor sesa ishte një javë më parë.

Lexo përditësimet tjera
Izrael

Armëpushim i brishtë Izrael-Iran