Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trump: Një civilizim i tërë do të vdesë sonte nëse Irani s’bën marrëveshje

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të arrijë marrëveshje gjatë ditës së martë, duke shtuar se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”, nëse nuk arrihet marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

"Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë. Megjithatë, tani që kemi ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendje të ndryshme, më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionare e mrekullueshme, kush e di? Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të botës. 47 vjet zhvatje, korrupsion dhe vdekje, më në fund do të marrin fund. Zoti e bekoftë popullin e madh të Iranit!", ka shkruar ai.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Trumpi i ka dhënë Iranit afat deri në orën 02:00 të mërkurën me kohën e Kosovës për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Nuk është hera e parë që presidenti Trump lëshon ultimatume për Iranin, për hapjen e ngushticës.

Ngushtica është rrugë e rëndësishme nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës botërore. 

 

Trumpi pajtohet për armëpushim 2-javor me Iranin

1 j. më parë / 8 pri 2026 00:54
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti Donald Trump ka thënë se ka rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin.

Trump theksoi se marrëveshja për armëpushim u bë me kusht që Irani të pranonte të rihapte ngushticën kritike të Hormuzit.

”Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif të Pakistanit, dhe duke qenë se ata kërkuan që të përmbahesha nga përdorimi i forcës shkatërruese që ishte planifikuar për sonte ndaj Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj të pezulloj bombardimin dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm!,” shkroi Trump në Truth Social.

Trump ka shtuar tutje se arsyeja pse mori vendimin ishte se SHBA-ja tashmë ka përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe se janë shumë pranë një marrëveshjeje përfundimtare lidhur me paqen afatgjatë me Iranin. 

“Ne morëm një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të mëparshme janë rënë dakord mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet. Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë është pranë zgjidhjes”, shtoi ai.

Izraeli po ashtu është pjesë e armëpushimit dyjavor, ka thënë për CNN një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

“Izraeli ka rënë dakord gjithashtu të pezullojë fushatën e tij të bombardimeve ndërkohë që vazhdojnë negociatat”, deklaroi zyrtari.  

Trumpi: E paligjshme thirrja e Iranit ndaj të rinjve për t’u mbledhur rreth termocentraleve

1 j. më parë / 7 pri 2026 23:02
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se është e papranueshme që Irani t’i përdor si mbrojtje njerëzit, derisa ka komentuar thirrjen e Iranit që ua bëri të rinjve për t’u mbledhur pranë termocentraleve.

Trumpi ka kërcënuar se do t'i shkatërrojë infrastrukturën energjetike dhe urat në Iran.

“Komplet ilegale. Ata nuk lejohet ta bëjnë këtë”, ka thënë Trumpi për NBC News.

Trumpi gjithashtu është pyetur edhe për arsyen e deklaratës së tij se “një civilizim i tërë do të vdes sonte”. Ai është përgjigjur “Duhet të prisni për ta kuptuar”.

Trumpi thotë se janë në negociata të tensionuara për Iranin

1 j. më parë / 7 pri 2026 22:29
donald trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja është në “negociata të tensionuara” mbi luftën në Iran, duke mos dhënë më shumë detaje për bisedimet.

“Nuk mund t’ju them, sepse tani jemi në negociata të tensionuara”, i ka thënë ai FoxNews.

Trumpi ka shtuar se ai është njoftuar për propozimin e kryeministrit të Pakistanit për armëpushim dyjavor.

“Mund të them se e njoh mirë atë. Ai është një burrë shumë i respektuar”, shtoi ai.

Pakistani i bën thirrje Trumpit ta shtyjë afatin për Iranin

1 j. më parë / 7 pri 2026 21:36
Pakistan

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që ta zgjasë afatin e tij të së martës për Iranin, për dy javë, "për të lejuar diplomacinë të vazhdojë rrugën e saj".

Ai gjithashtu i ka kërkuar Iranit të hapë Ngushticën e Hormuzit.

"Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen paqësore të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme, të fortë dhe të fuqishme me potencialin për të çuar në rezultate thelbësore në të ardhmen e afërt. Për të lejuar diplomacinë të vazhdojë rrugën e saj, i kërkoj me ngulm Presidentit Trump të zgjasë afatin për dy javë”, ka shkruar Sharif në X.

"Pakistani, me gjithë sinqeritet, u kërkon vëllezërve iranianë të hapin Ngushticën e Hormuzit për një periudhë përkatëse prej dy javësh si një gjest vullneti të mirë. Ne gjithashtu i nxisim të gjitha palët ndërluftuese të respektojnë një armëpushim kudo për dy javë për të lejuar diplomacinë të arrijë përfundimin përfundimtar të luftës, në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, ka shtuar ai.

Pakistani ka vepruar si ndërmjetës në konflikt. 

Trumpi i ka dhënë Iranit afat deri në ora 02:00 të mërkurën me kohë të Kosovës, që të hapë Ngushticën e Hormuzit, ose në të kundërtën siç ka thënë “një qytetërim i tërë do të vdesë”. 

Papa Leoni e quan "të papranueshëm" kërcënimin e Trumpit ndaj Iranit

1 j. më parë / 7 pri 2026 21:20
Papa Leoni

Photo: Associated Press

Papa Leoni ka reaguar ndaj kërcënimit të fundit të lëshuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndaj Iranit, duke thënë se kërcënimet e drejtuara ndaj popullsisë së Iranit janë "të papranueshme".

Reagimi i tij vjen disa orë pasi Trumpi tha në mediat sociale se një "qytetërim i tërë do të vdesë sonte" nëse Irani nuk bën një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Papa, i cili është amerikan, ka shprehur gjithnjë e më shumë kritika ndaj luftës së Iranit.

Duke folur me gazetarët ndërsa po largohej nga rezidenca papnore në Castel Gandolfo, jashtë Romës, ai iu referua një kërcënimi të bërë më herët sot kundër popullit iranian, duke e quajtur atë "vërtet të papranueshëm".

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje njerëzve në mbarë botën të kontaktojnë përfaqësuesit e tyre politikë dhe të bëjnë presion për t'i dhënë fund konfliktit.

Irani zotohet të veprojë nëse Trumpi i zbaton kërcënimet

1 j. më parë / 7 pri 2026 20:18
Iran

Photo: Associated Press

Përfaqësuesi i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, ka deklaruar se Teherani nuk do të "rrijë duarkryq" nëse Trumpi i zbaton kërcënimet për "krime lufte"

Saeid Iravani ka shtuar se kërcënimet e Trumpit paraditen e së martës se një "qytetërim i tërë do të vdesë" nëse Irani nuk bën një marrëveshje "përbëjnë nxitje për krime lufte dhe potencialisht gjenocid".

Gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurimit mbi Ngushticën e Hormuzit, Iravani i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të kritikojë retorikën e Trumpit para se të jetë tepër vonë.

"Irani nuk do të rrijë duarkryq përballë krimeve të tilla të rënda të luftës. Ai do të ushtrojë, pa hezitim, të drejtën e tij të lindur të vetëmbrojtjes dhe do të marrë masa të menjëhershme dhe proporcionale reciproke", ka deklaruar ai.

Këshilli i Sigurimit ka dështuar të votojë një draftrezolutë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina. 

Rusia dhe Kina i vënë veton një draftrezolute për Ngushticën e Hormuzit në KS të OKB-së

1 j. më parë / 7 pri 2026 18:58
KS i OKB-së

KS i OKB-së

Rusia dhe Kina kanë vënë veton ndaj një draftrezolute të vendeve të Gjirit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që inkurajonte fuqimisht përpjekjet mbrojtëse dhe të koordinuara për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Njëmbëdhjetë vende votuan pro dhe dy anëtarë të këshillit abstenuan (Pakistani dhe Kolumbia).

Pas javësh negociatash, drafti u zbut nga fillimi nën Kapitullin VII (autorizimi i forcës ushtarake) në heqjen e Kapitullit VII, por në "autorizimi i shteteve për të përdorur të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse", duke inkurajuar fuqimisht përpjekjet mbrojtëse.

Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Dr. Abdullatif bin Rashid Al Zayani, kryesoi takimin.

Duke folur para votimit, ai u ka thënë anëtarëve të këshillit se drafti nuk krijonte një realitet të ri, por ishte një përgjigje serioze ndaj një modeli të sjelljes armiqësore të përsëritur të Iranit që duhet të ndalet.

Ai ka thënë se dështimi i Këshillit të Sigurimit për t'iu përgjigjur përdorimit të rrugës ujore jetësore si mjet ndikimi, do të kishte pasoja të rënda për botën dhe mund të përsëritej në ngushtica dhe rrugë ujore të tjera, duke e transformuar botën në një xhungël.

BBC-ja ka raportuar se Kina është ndër vendet që ka mundur të vazhdojë të përdorë Ngushticën, ndërsa Rusia mund të përfitojë nga lehtësimi i sanksioneve mbi naftën në përgjigje të mbylljes.

Netanyahu thotë se kanë goditur ura dhe hekurudha të Iranit

1 j. më parë / 7 pri 2026 17:13
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli ka goditur hekurudhat dhe urat e përdorura nga Irani.

“Dje shkatërruam avionë transporti dhe dhjetëra helikopterë. Sot sulmuam shinat e trenit dhe urat e përdorura nga Garda Revolucionare”, ka shkruar Netanyahu në X.

Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë goditur "tetë segmente urash" që pretendojnë se janë përdorur nga forcat e armatosura iraniane. 

IDF-ja thotë se këto sulme ndodhën në qytete, duke përfshirë Teheranin, Karajin, Tabrizin, Kashanin dhe Qomin.

Kjo vjen pas raportimeve të mëparshme nga media shtetërore iraniane se dy persona u vranë pas një sulmi në një urë në Kashan, disa orë pasi Izraeli paralajmëroi banorët e Iranit të mos merrnin trena "për hir të sigurisë së tyre".

Irani u bën thirrje të rinjve të mblidhen rreth centraleve elektrike

1 j. më parë / 7 pri 2026 16:48 Nga: Associated Press
amb iranit

Zyrtarët iranianë të martën u kanë bërë thirrje të rinjve të mblidhen rreth centraleve elektrike, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” nëse Teherani nuk e rihap Ngushticën e Hormuzit, brenda afatit kohor që ai e ka caktuar.

Ndërkohë sulme ajrore kanë goditur dy ura dhe një stacion treni në Iran, ndërsa SHBA-ja goditi objektiva ushtarake në qendrën iraniane të naftës në ishullin Kharg. Ky sulm shënoi herën e dytë që ishulli u godit nga forcat amerikane, shkruan AP.

Trumpi i ka zgjatur afatet e mëparshme, por ky që është caktuar për orën 20:00 të së martës, ka deklaruar se është përfundimtar.

Trumpi kërcënoi të shkatërrojë të gjitha centralet elektrike dhe urat e Iranit nëse Teherani nuk lejon rifillimin e plotë të trafikut në ngushticë, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore në kohë paqeje. Presidenti i Iranit tha se 14 milionë njerëz, përfshirë edhe veten e tij, janë vullnetarë për të luftuar.

Nuk ishte e qartë nëse sulmet e fundit ajrore ishin të lidhura me kërcënimin e Trump për të sulmuar urat. Të paktën dy nga objektivat ishin të lidhura me rrjetin hekurudhor të Iranit, të cilin Izraeli më herët kishte sinjalizuar se mund ta sulmonte. Izraeli ka kryer gjithnjë e më shumë sulme që thotë se synojnë t’i japin një goditje ekonomisë së Iranit.

Ndërkohë, Irani qëlloi drejt Izraelit dhe Arabisë Saudite, duke shkaktuar mbylljen e përkohshme të një ure të madhe.

Edhe pse Irani nuk mund të barazohet me sofistikimin e armëve amerikane dhe izraelite apo dominimin e tyre në ajër, kontrolli i tij mbi ngushticën po trondit ekonominë botërore dhe po rrit presionin ndaj Trumpit, si brenda vendit ashtu edhe jashtë, për të gjetur një rrugëdalje nga përballja.

Mbi 14 milionë iranianë janë gati të vdesin për të mbrojtur atdheun, thotë presidenti i Iranit

1 j. më parë / 7 pri 2026 16:45
Massouf Pezeshkian

Photo: Associated Press

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka shkruar në X se më shumë se 14 milionë iranianë kanë thënë se janë të gatshëm të japin jetën e tyre për të mbrojtur vendin në luftën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. 

“Mbi 14 milionë iranianë krenarë, deri në këtë moment, kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar jetën e tyre në mbrojtje të Iranit”, ka shkruar  ai.

“Edhe unë kam qenë, jam dhe do të mbetem i përkushtuar për të sakrifikuar jetën time për Iranin”, ka shtuar.

Thirrja drejtuar qytetarëve është pjesë e fushatës “Janfada (Sakrifikimi i Jetës) për Iranin”, e cila filloi në fillim të luftës së Iranit muajin e kaluar dhe synon të sigurojë unitetin kombëtar.

Irani po përgatitet për një sulm të mundshëm në shkallë të gjerë nga SHBA-ja, pasi presidenti Donald Trump i ka dhënë Teheranit afat deri të martën në mbrëmje për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica është shumë një rrugë shumë e rëndësishme detare, nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës botërore. 

Çmimet e naftës rriten sërish pas sulmeve të SHBA-së mbi ishullin Kharg

1 j. më parë / 7 pri 2026 15:31
Nafta

Photo: Driton Paçarada

Çmimi i naftës bruto amerikane është rritur me më shumë se 3%, në gati 116 dollarë për fuçi, pas raportimeve të para se SHBA-ja ka goditur Ishullin Kharg, nga ku Irani eksporton 90% të naftës së tij bruto.

Një zyrtar amerikan ka konfirmuar sulmet për NBC News.

Çmimi mesatar i naftës për fuçi ishte 69 dollarë vitin e kaluar.

Mbyllja e Nguhticës së Hormuzit dhe sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës kritike në Lindjen e Mesme kanë çuar në rritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës në botë. 

SHBA-ja e sigurt se Irani do të bëjë marrëveshje sonte, thotë Vance

1 j. më parë / 7 pri 2026 15:24
JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë se është i sigurt që SHBA-ja do të marrë përgjigje nga Irani deri në përfundim të afatit të së martës, lidhur me një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit. 

Duke folur nga Hungaria ku po qëndron për të përkrahur kryeministrin Viktor Orban për zgjedhjet e 12 prillit, Vance ka thënë se SHBA-ja i ka arritur kryesisht objektivat e saj ushtarake në luftën e Iranit. 

Trumpi dëshiron që Irani ta ketë rihapur Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar deri atëherë.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, ka ndërprerë pjesën më të madhe të trafikut nëpër këtë rrugë të rëndësishme detare.

Nëpër Hormuz, kalon rreth një e pesta e naftës botërore.

Mbyllja ka shkaktuar ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës në mbarë botën.

Nëse SHBA-ja kalon vijat e kuqe përgjigja jonë do të shkojë përtej rajonit, paralajmëron Irani

1 j. më parë / 7 pri 2026 15:14
Iran

Photo: Associated Press

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit ka thënë të martën në një deklaratë të re se ka treguar "përmbajtje të konsiderueshme" dhe "ka treguar kujdes në përzgjedhjen e objektivave për hakmarrje" kundër SHBA-së dhe partnerëve të saj rajonalë.

Mirëpo, ajo paralajmëron se nëse SHBA-ja tejkalon vijat e kuqe, përgjigja e saj do të shkojë përtej rajonit 

"Nga kjo pikë e tutje, të gjitha konsideratat e tilla do të lihen mënjanë", thuhet në një deklaratë të ndarë në mediat shtetërore.

"Nëse SHBA-ja kalon vijat e kuqe, përgjigja jonë do të shkojë përtej rajonit", thuhet në deklaratë ku shtohet se Irani do të synojë infrastrukturën e SHBA-së dhe partnerëve të saj dhe do të ndërpresë furnizimet rajonale me naftë dhe gaz për vite me radhë.

Trumpi ka shtyrë disa herë afatin për Iranin, por afati i së martës thotë se është i fundit

1 j. më parë / 7 pri 2026 15:06
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shtyrë afatin për Iranin për të arritur një marrëveshje dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit nga e hëna në të martën, e fundit nga disa shtyrje të afatit, dhe ka kërcënuar se pa një marrëveshje "ferri do të mbretërojë mbi ta".

Afati i mëparshëm i Trumpit ishte për 23 mars, por ai ndryshoi disa herë gjatë javëve në vijim, ndërsa presidenti republikan luhatej midis kërcënimeve, njoftimeve për vonesa dhe shpalljeve se negociatat po shkonin mirë, ndonjëherë në të njëjtën deklaratë.

Irani e ka hedhur poshtë propozimin e fundit për armëpushim, ka raportuar të hënën agjencia shtetërore e lajmeve IRNA e vendit. Pak më pas, Trumpi i ka thënë një paralajmërim të kobshëm Iranit nëse nuk kapitullonte dhe sugjeroi se afati i së martës në orën 8:00 të mbrëmjes me kohën amerikane, ishte përfundimtar.

"Ata nuk do të kenë ura. Ata nuk do të kenë termocentrale. Ata nuk do të kenë asgjë", ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar SHBA-në se sulmet ndaj infrastrukturës civile janë të ndaluara sipas të drejtës ndërkombëtare, sipas zëdhënësit të tij. 

Mirëpo Trumpi, duke folur me gazetarët të hënën, ka thënë se “nuk është aspak” i shqetësuar për kryerjen e krimeve të luftës me sulme të tilla.

Të martën ai ka lëshuar paralajmërimin e fundit, duke thënë se nëse Irani nuk bën marrëeshje, i gjithë qytetërimi do të vdesë.

SHBA-ja godet sërish ishullin e naftës të Iranit

1 j. më parë / 7 pri 2026 14:53
Ishulli Kharg

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se SHBA-ja ka goditur sërish ishullin Kharg të Iranit. 

Sipas zyrtarit i cili ka folur për CBS News, forcat amerikane kanë kryer sulme të reja ndaj objektivave ushtarake në ishullin Kharg të Iranit.

Zyrtari raportohet të ketë thënë se infrastruktura e naftës nuk ishte në shënjestër të sulmeve të natës.

Njoftimi për goditjen ka ardhur gjatë kohës kur Trumpi sërish ka paralajmëruar që të bëjë marrëveshje sipas ultimatumit të tij, ose në të kundërtën, siç ka thënë, i gjithë qyteterimi do të vdesë. 

Ishulli Kharg i referuar shpesh si "Ishulli i Ndaluar", është një ishull kontinental i Iranit në Gjirin Persik.

Ai ndodhet 25 kilometra larg bregdetit të Iranit dhe 660 kilometra në veriperëndim të Ngushticës së Hormuzit. 

I administruar nga provinca bregdetare Bushehr ngjitur, Ishulli Kharg ofron një port detar për eksportin e deri në 90% të produkteve të naftës të Iranit, si dhe furnizon depozita për deri në 30 milionë fuçi naftë.