Botë

Trump largon edhe McMasterin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zëvendësoi këshilltarin për siguri kombëtare, H.R. McMaster, me ish-të dërguarin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se e falënderon gjeneralin McMaster për shërbimin dhe se ai ka bërë një “punë të shkëlqyeshme”.

Javën e kaluar, Trump ka shkarkuar sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, po ashtu duke njoftuar në Twitter, dhe e ka zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Bolton do të marrë detyrën më 4 prill. Ai do të jetë këshilltari i tretë për siguri kombëtare i Trumpit në 14 muajt e administratës së tij.

Bolton, 69 vjeç, ka shërbyer në administratat e Ronald Reaganit, George Bushit të vjetër dhe George Bushit të ri.

Ai ka ndihmuar në ndërtimin e rastit kundër Saddam Husseinit, duke thënë se ish-diktatori irakian ka poseduar armë të shkatërrimit në masë, por kjo teori ka dalë më pas e gabuar.

Bolton vazhdon të mbështesë pushtimin e Irakut dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të sulmojë Iranin dhe Korenë e Veriut.

“Bolton, për kohë të gjatë, ka mbështetur ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut dhe lidhje më të afërta me Tajvanin. Lidhni rripat e sigurisë”, ka thënë për agjencinë Reuters Bonnie Glaser, ekspert për Azinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.