Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

John Bolton, këshilltar i ri për Siguri Kombëtare i Trumpit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka zëvendësuar këshilltarin kombëtar për siguri, HR McMaster me ish-ambasadorin amerikan në OKB, John Bolton. Trump ka shkruar në Twitter duke falënderuar gjeneralin McMaster për shërbimin e tij dhe ka thënë se ai bëri punë të jashtëzakonshme, raporton KTV. Në anën tjetër, Bolton i cili ka përkrahur sulmet ndaj Koresë Veriore dhe Iranit ka thënë për televizionin Fox se detyra e tij e re d të jetë që të sigurohet që presidenti të ketë shumë opsione.

Ai është këshilltari i tretë për siguri i Trumpit në 14 muaj. Ndërkaq emërimi i Boltonit nuk kërkon miratimin e Senatit amerikan dhe ai do të merr detyrën me 9 prill.

Duke komentuar emërimin Bolton tha se mezi po pret të punojë me presidentin për ta bërë shtetin më të sigurt. Përndryshe 69 vjeçari është pjesë e qarqeve të mbrojtjes mes Republikanëve me dekada. Ai ka shërbyer në administratën e Ronald Reaganit, George HW Bush dhe George W Bush. Bushi i dytë e kishte emëruar ambasador në OKB, e gjatë kësaj kohe diplomatët privatisht ankoheshin në stilin gërryes sic thoshin të tij.

Neo-konservator i ashpër, Bolton ndihmoi në krijimin e rastit kundër diktatorit irakian, Saddam Hussein për posedimin e armëve të shkatërrimit në masë, gjë e cila dikur doli se ishte gabim. Ai vazhdon të përkrahë invadimin e Irakut dhe angazhohej për nxitjen e sulmeve kundër Iranit dhe Koresë Veriore. Mes tjerash edhe mendimet e tij rreth Kosovës dallojnë shumë nga shumica e politikanëve amerikanë. Në vitin 2008, në kohën kur Kosova shpallte pavarësinë, Bolton kishte thënë se rajoni mund të përballet me destabilitet nëse Kosova pavarësohet. Duke qenë mysafir i shpeshtë në televizionin Russia Today, Bolton kishte thënë se pozita e amerikanëve dhe BE-së ndaj Kosovës ka komprometuar negociatat dhe se Rusia do të mund të ishte më e përfshirë në këtë.

Sipas tij shpallja e njëanshme e pavarësisë do të ishte jo ligjore dhe do të mund të nxiste lëvizjet separatiste në botë duke prishur kështu rendin ndërkombëtar. Në një rast tjetër, po ashtu në Russia Today ai ka thënë se Kosova mund të ngjallë ekstremizmin islam në Evropë.