Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar se në Davos të Zvicrës ka pasur biseda të shumta lidhur me Ukrainën.
“Do të ishte mirë t’i jepej fund asaj lufte”, tha Trump, raporton “The Guardian”.
Ai ka thënë se delegacioni i SHBA-së i përbërë nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner po bisedojnë në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.
“Të shohim se si do të funksionojë”, tha Trump.
Ai tregoi se pati një takim të mirë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Davos, por se takime të mira patën edhe në të kaluarën, por nuk ndodhi gjë. Ai përsëriti se ishte një takim “shumë i mirë”.
Thotë se Evropa do të jetë pjesë e çdo marrëveshje eventuale, nëse ajo arrihet.
Trump pretendon se si Zelensky ashtu edhe Putini “duan të bëjnë këtë marrëveshje” dhe thotë se Zelensky e tha këtë vazhdimisht gjatë takimit që pati.
Ai tregoi se Zelensky i foli për një situatë dramatike në të cilën gjendet populli ukrainas pa energji e ngrohje në temperatura ekstreme të ftohta.
Zelensky tha se të premten në Emiratet e Bashkuara Arabe është paraparë të mbahet një takim trepalësh SHBA – Rusi – Ukrainë.
“Sa herë që takohemi është mirë. Nëse nuk takohesh atëherë s’do të ketë asnjë lëvizje”, tha Trump për takimin e paralajmëruar.
Trump flet për marrëveshje shumë të mirë për Grenlandën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke folur në bordin e “Air Force One”, në rrugën e kthimit nga Davosi, ka diskutuar për marrëveshjen mbi Grenlandën.
I pyetur për më tepër detaje për marrëveshjen, ai tha se ajo do të zgjasë “pafundësisht” dhe se SHBA-ja mund të bëjë “çfarë të dojë” atje ushtarakisht, raporton “The Guardian”.
“Po negociohet, të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Ne themi “të gjithë do të punojmë së bashku” me NATO-n pasi alenca “do të jetë e përfshirë me ne”, por SHBA-ja nuk do të duhet të paguajë për asgjë përveç sistemit të raketave “Golden Dome”.
I pyetur nëse Danimarka është dakord me këtë, pasi Grenlanda është territor gjysmëautonom i Danimarkës, Trump tha: “Mendoj se të gjithëve u pëlqen”.
Ai tha se do të përditësojë lidhur me këtë pas dy javëve.
Trump tha se do të jetë një marrëveshje shumë më bujare dhe do të jetë shumë më mirë prë SHBA-në që të “mbulojë këtë copë akulli me Golden Dome”.