SHBA-ja ka rënë dakord të bashkëpunojë drejt uljes së barrierave tregtare me Bashkimin Evropian, -tha Donald Trump, të mërkurën, pas një takimi me shefin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker. Të dy ranë dakord të nisin një “fazë të re” në marrëdhëniet dhe të punojnë drejt tarifave zero, -tha presidenti i SHBA-së. Ata gjithashtu ranë dakord të rrisin tregtinë në shërbime dhe bujqësi, duke përfshirë eksportet më të mëdha të prodhimeve agrare nga BE-ja.
Marrëveshjet vijnë në kohën e tensioneve të larta, midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Të dy udhëheqësit çaktivizuan, atë që kishte kërcënuar të bëhej një luftë tregtare midis dy blloqeve, të nxitur nga tarifat e vendosura nga Trump, mbi eksportin e çelikut dhe aluminit evropian, si dhe kërcënimet për të zgjeruar tarifat për makinat. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës ishin më shumë të tendosura nga simpatia e dukshme e Donald Trump për presidentin rus Vladimir Putin, si dhe sulmet ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Çfarë u arrit si përfundim?
Duke folur nga Kopshti Rose në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi një “fazë të re në marrëdhëniet” midis dy blloqeve tregtare, duke e quajtur atë një “ditë shumë të madhe për tregtinë e lirë dhe të ndershme”. “Ne po fillojmë negociatat tani, por ne e dimë shumë se ku po shkojmë”, tha Trump. Juncker e falënderoi presidentin amerikan dhe e përshëndeti takimin si, një “takim të mirë dhe konstruktiv”. Bashkimi Evropian do të rrisë blerjet e gazit natyror të lëngshëm, nga Shtetet e Bashkuara, tha Presidenti Trump, duke i bërë ata një “blerës masiv”. Ai shtoi se do të ketë një rritje në tregtinë e shërbimeve dhe bujqësisë. “Bashkimi Evropian do të fillojë të blejë shumë më shumë prodhime sojesh, pasi ato janë një treg i jashtëzakonshëm, nga fermerët tanë, kryesisht në Midwest”, tha Trump.
Trump dhe Juncker, gjithashtu ranë dakord të ndalonin vendosjen e tarifave të mëtejshme, ndërsa negociatat do të zhvilloheshin, diçka që Juncker e quajti një “koncesion të madh” nga ana presidentit, si dhe të punojë drejt reformimit të Organizatës Botërore të Tregtisë. Juncker tha se, arritja e një marrëveshje mbi tarifat zero për mallrat industriale ishte “synimi kryesor” i tij. “Sot kam pasur një qëllim, të bëj një marrëveshje dhe kemi bërë një marrëveshje. Ne kemi një numër fushash në të cilat do të punojmë së bashku”, tha ai. Nuk është bërë asnjë njoftim për tarifat e automjeteve dhe nuk ishte e qartë nëse kishte pasur ndonjë përparim në zgjidhjen e çështjes. Trump kishte kërcënuar të impononte tarifat prej 25% tek importet evropiane të automjeteve. Juncker tha se, ai dhe presidenti kishin rënë dakord të rivlerësonin pengesat e sigurisë kombëtare në “kohën e duhur”.
Cili ka qenë reagimi ndaj marrëveshjes?
Qeveritë dhe zyrtarët në Evropë, u treguan të shpejtë për të lavdëruar marrëveshjen midis Trump dhe Juncker. Në Tëitter, zyrtarja e lartë e tregtisë së Bashkimit Evropian, Cecilia Malmstrom tha se, të dy kanë “kthyer një faqe” në lidhje me tregtinë ndërkombëtare, ndërsa ministri i ekonomisë gjermane Peter Altmaier, e përshëndeti këtë takim, si dhe e quajti një “zbulim të madh”. Megjithatë, të tjerët ngacmuan entuziazmin nga ky takim. Duke folur për faqen e internetit të medias britanike “The Guardian”, Bart Oosterveld, nga Këshilli i Atlantikut, vuri në dukje marrëveshjen si një “rifillim të një dialogu bazë” dhe tha se, marrëveshjet për “LNG” dhe bujqësinë, ishin jashtëzakonisht të rëndësishme. Megjithatë shtoi ai, “Shmangia e fatkeqësisë nuk është një sukses”.
Si arritën palët deri këtu?
Donald Trump ka imponuar një tarifë 25% mbi çelikun dhe tarifën 10%, për produktet e aluminit që vijnë nga Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Meksika, për arsye të sigurisë kombëtare, diçka që Bashkimi Evropian po e sfidon në Organizatën Botërore të Tregtisë. Presidenti amerikan ka kërcënuar, kundër asaj që ai beson se janë praktikat e padrejta tregtare nga aleatët ndaj Amerikës dhe më parë e quajti Bashkimin Evropian një “armik” për tregtinë. BE-ja, në anën tjetër, ka përdorur një lloj kundërpërgjigje të tarifave ndaj mallrave ikonë të Shteteve të Bashkuara, duke filluar nga motoçikletat “Harley Davidson”. “Harley Davidson” dhe prodhuesit e makinave amerikane, kanë paralajmëruar kohët e fundit për koston financiare që këto tarifa u shkaktojnë bizneseve të tyre.
Marrëveshja midis Trump dhe Juncker finalizoi katër marrëveshje
Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Amerikan Trump, arriti që të merrte atë që kishte parashikuar më parë. Bashkimi Evropian u zotua se do të përdorë tashmë, gazin e lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Donald Trump, i vetëdijshëm se tregtia me Bashkimin Evropian është fitimprurëse edhe në sektorin bujqësor, e bindi Presidentin e Komisionit Evropian, që të eksportojë drejt BE-së edhe produkte të fermerëve amerikanë. Të gjitha këto marrëveshje, Donald Trump i parashtroi gjatë konferencës për shtyp më Jean Cloude Juncker. Fjala e plotë e mbajtur nga Trump: “U takuam sot në Washington DC, për të nisur një fazë të re në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, një fazë miqësie të ngushtë, marrëdhënieve të forta tregtare në të cilat të dy do të fitojmë, të punojmë më mirë së bashku për sigurinë globale dhe prosperitet dhe luftimin e përbashkët kundër terrorizmit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, së bashku kanë më shumë se 830 milionë qytetarë dhe më shumë se 50 për qind të PBB-së globale.
Nëse bashkohemi, ne mund ta bëjmë planetin tonë një vend më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë. Tashmë sot, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë një marrëdhënie tregtare bilaterale prej 1 trilionë dollarësh – marrëdhëniet më të mëdha ekonomike në botë. Ne duam të forcojmë më tej këtë marrëdhënie tregtare në dobi të të gjithë qytetarëve amerikanë dhe evropianë. Kjo është arsyeja pse sot u pajtuam, para së gjithash, të punojmë së bashku drejt tarifave zero, barrierave jo tarifore dhe zero subvencioneve për mallrat industriale jo-automatike. Ne gjithashtu do të punojmë për të reduktuar barrierat dhe për të rritur tregtinë në shërbime, në ato kimikate, farmaceutikë, produkte mjekësore, si dhe tek produktet e sojeve.
Kjo do të hapë tregje për fermerët dhe punëtorët, do të rrisë investimet dhe do të sjellë në prosperitet më të madh, si në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Ajo gjithashtu do ta bëjë tregtinë më të drejtë dhe më reciproke. Së dyti, ne ramë dakord sot për të forcuar bashkëpunimin tonë strategjik, në lidhje me energjinë. Bashkimi Evropian dëshiron të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara për të diversifikuar furnizimin me energji. Së treti, ne ramë dakord sot për të nisur një dialog të ngushtë mbi standardet në mënyrë që të lehtësojmë tregtinë, të zvogëlojmë pengesat burokratike dhe të zvogëlojmë shpenzimet. Së katërti, ne ramë dakord sot, për të bashkuar forcat për të mbrojtur kompanitë amerikane dhe evropiane më mirë, nga praktikat e padrejta tregtare globale. Prandaj, ne do të punojmë ngushtë me partnerë të ngjashëm me ta për të reformuar OBT-në dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare, duke përfshirë vjedhjet e pronësisë intelektuale, transferimin e detyruar të teknologjisë, subvencionet industriale, shtrembërimet e krijuara nga ndërmarrjet shtetërore.
Ne vendosëm të ngrinim menjëherë një Grup Ekzekutiv Punues të këshilltarëve tanë më të afërt, për të vazhduar këtë agjendë të përbashkët përpara. Përveç kësaj, do të identifikojmë masat afatshkurtra, për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe për të vlerësuar masat ekzistuese tarifore. Ndërsa po punojmë për këtë, nuk do të shkojmë kundër frymës së kësaj marrëveshjeje, nëse asnjëra palë nuk përfundon negociatat. Ne gjithashtu duam të zgjidhim çështjet e tarifave të çelikut dhe aluminit dhe tarifat e tjera”.
Juncker: Sot bëmë një marrëveshje
“Kur unë u ftova nga Presidenti në Shtëpinë e Bardhë, kisha një qëllim: unë kisha ndërmend të bëja një marrëveshje sot. Dhe ne bëmë një marrëveshje sot. Ne kemi identifikuar një numër fushash në të cilat do të punojmë së bashku. Puna ndaj tarifave zero për mallrat industriale – që ishte qëllimi im kryesor – të propozoj të zbres në zero tarifat për mallrat industriale. Ne kemi vendosur të forcojmë bashkëpunimin tonë në energji. Bashkimi Evropian do të ndërtojë më shumë terminale për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga SHBA. Ky është gjithashtu një mesazh për të tjerët. Ne ramë dakord për të krijuar një dialog mbi standardet. Sa i përket bujqësisë, Bashkimi Evropian mund të importojë më shumë sojë nga SHBA dhe kjo do të bëhet. Dhe ne gjithashtu ranë dakord të punojmë së bashku për reformën e OBT-së. Natyrisht, kjo bazohet në të kuptuarit se për sa kohë që po negociojmë, nëse njëra palë nuk do të ndalojë negociatat, ne mbajmë tarifa të mëtejshme dhe ne rivlerësojmë tarifat ekzistuese për çelikun dhe aluminin. Kjo ishte një e mirë, një takim konstruktiv”.