Botë

Tre të vdekur e dhjetëra të lënduar nga shembja e një shkolle në Indonezi

Indonezi

Të paktën tre persona kanë mbetur të vdekur dhe 99 të lënduar, prej tyre 38 ende të bllokuar si pasojë e shembjes së një shkolle islamike në Indonezi, raportoi të martën BBC-ja.

Autoritetet kanë njoftuar se ndërtesa është shembur të hënën në ishullin Java të Indonezisë, ku nxënësit ishin mbledhur për lutjet e pasdites.

"Numri i viktimave është 102 persona, përfshirë 99 të mbijetuar dhe 3 të vdekur", ka thënë kreu i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit, Mohammad Syafii.

Ai shtoi se ekipet e shpëtimit po punojnë për të shpëtuar të mbijetuarit që mendohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Atok Irawan, kreu i një spitali lokal në Sidoarjo, u tha gazetarëve se dy persona vdiqën nga plagët e marra të martën, ndërsa po trajtoheshin në urgjencën e spitalit.

Standardet e dobëta të ndërtimit kanë ngritur shqetësime në lidhje me sigurinë e ndërtesave në Indonezi.

Këtë muaj, të paktën tre persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë u lënduan pasi një ndërtesë ku po zhvillohej një recital lutjesh u shemb në Javan Perëndimore.