Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tre të arrestuar në Holandë, dyshohen se shkelën sanksionet e BE-së duke eksportuar në Rusi

Autoritetet në Holandë kanë arrestuar tre persona si pjesë e hetimeve ndaj një rrjeti ndërkombëtar që raportohet se ka punuar për t’iu ikur sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, kanë njoftuar prokurorët holandezë, raporton agjencia “AP”.

Janë bastisur 14 lokacione më herët këtë muaj dhe janë përfshirë autoritete në Holandë, Lituani, Letoni, Gjermani dhe Kanada.

Hetuesit holandezë kanë kryer operacionin e 9 janarit me ndihmën e Europolit dhe Eurojustit.

Tre të dyshuar, dy burra të moshave 56 dhe 57 vjeç, dhe një grua 54-vjeçare janë arrestuar në Holandë.

Nuk janë bërë të ditur emrat e të dyshuarve apo edhe kompania me të cilën ishin të lidhur ata.

“Bastisjet nisën pas një hetimi për eksport ilegal të pajisjeve teknologjike dhe laboratorike, që mund të përdoren për qëllime ushtarake”, është thënë nga Eurojust. “Eksportimet e tilla janë të paligjshme për shkak të sanksioneve të vendosura nga BE-ja, që u vendosën pas fillimit të luftës në Ukrainë”.

Edhe Gjermania arreston pesë të dyshuar për furnizim të firmave ruse të mbrojtjes Botë Gjermania arreston pesë të dyshuar për furnizim të firmave ruse të mbrojtjes

Autoritetet holandeze nisën hetimet në fund të vitit të kaluar dhe zbuluan “një rrjet të ndërmarrjeve, që po përdoreshin për t’i ikur ndalesave të eksporteve për në Rusi”, ka thënë Eurojust.

Rrjeti kishte në qendër një kompani të regjistruar në Holandë, që Eurojust thotë se ishte krijuar në vitin 2017 “për import, eksport dhe shitje të pajisjeve elektroteknologjike dhe laboratorike, ndër të tjera”.

Bashkimi Evropian ka vendosur një varg sanksionesh ndaj Rusisë në reagim ndaj luftës në Ukrainë, së fundi duke shënjestruar edhe industrinë luksoze të diamanteve.