Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trafikimi i nuseve për çmim të lirë në Kashmir

“Al Jazeera” ka folur me një “agjent” në Pattan, i cili nuk donte ta jepte emrin e tij, por tha se kishte qenë i përfshirë në organizimin e dhjetëra martesave, duke punuar si ndërmjetës midis atyre që kërkonin të blinin një nuse dhe trafikantëve. Ai thotë se kostoja e blerjes së nuses varion nga 250 deri në 500 dollarë, por mohon që gratë detyrohen të martohen

(Al-Jazeera) - Aktivistët kundër trafikimit besojnë se abortet me përzgjedhje seksi kanë kontribuar në përhapjen e trafikimit të nuseve. Sipas regjistrimit më të fundit, në vitin 2011, raporti gjinor i Indisë ishte 943 femra për çdo 1000 meshkuj. Ka më shumë burra, por më pak gra që ata të martohen.

“Në Indinë veriore është e lehtë të sjellësh gra nga pjesë të tjera [të vendit], sepse njerëzit nuk do ta dinë prejardhjen e tyre”, shpjegon Sarvesh, duke shtuar se kjo është shumë më e vështirë në pjesë të Indisë jugore, ku martesat mes kushërinjve janë më të zakonshme. “Në Indinë veriore njerëzit nuk janë të interesuar të dinë linjën e gjakut të nuses ose se si ajo zbarkoi atje”.

Në zonat e konfliktit si Kashmiri, Sarvesh thotë se çështja e trafikimit të nuseve bëhet më e ndërlikuar, pasi institucionet publike nuk funksionojnë siç duhet dhe shumë histori individuale humbasin mes "meta-narrativave të politikës".

35 dollarë për nuse

Abdul Rashid Hanjura është avokat dhe aktivist me bazë në Kashmir, i cili ka punuar në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore për 20 vjetët e fundit. Ai i thotë “Al Jazeeras” se ekziston “një biznes i plotë për agjentët e përfshirë në trafikimin e nuseve” në rajon. Agjentët janë ndërmjetësit që lidhin burrat nga Kashmiri që kërkojnë nuse me gratë e trafikuara nga pjesë të tjera të vendit.

“Kjo ndodh për shkak të varfërisë”, shpjegon ai. “Shumë burra të varfër nuk janë në gjendje të përballojnë martesën në Kashmir, sepse ne kemi shumë rituale të shtrenjta në të cilat një martesë mesatare kushton më shumë se 1000 dollarë”.

Nuset e trafikuara – shumë prej të cilave janë të mitura – mund të kushtojnë deri në 80 dollarë, thotë ai. Ndonjëherë ato u shiten agjentëve nga familjet e tyre.

“Pashë një rast ku agjentët i paguanin vetëm 35 dollarë [një familjeje]”, shton ai.

Hanjura beson se ka mijëra nuse të trafikuara në Kashmir, me raste që datojnë në fillim të viteve 1990, por thotë se pa të dhëna të duhura është e pamundur të dihet numri i vërtetë.

“Al Jazeera” foli me një “agjent” në Pattan, i cili nuk donte të jepte emrin e tij, por tha se kishte qenë i përfshirë në organizimin e dhjetëra martesave, duke punuar si ndërmjetës midis atyre që kërkonin të blinin një nuse dhe trafikantëve. Ai thotë se kostoja e blerjes së nuses varion nga 250 deri në 500 dollarë, por mohon që gratë detyrohen të martohen.

“Disa familje që janë të varfra i dërgojnë me dëshirë vajzat e tyre për martesë; ata marrin edhe para. Disa gra vijnë me dëshirë dhe më pas nuk u pëlqen këtu dhe duan të ikin, pastaj fajësojnë të tjerët. Por këtu ato kanë ushqim dhe gjithçka, në shtetet e tyre ka më shumë varfëri”, këmbëngul ai.

Hanjura e kundërshton këtë. Ai thotë se gratë dhe vajzat shpesh detyrohen të martohen me burra shumë më të rritur.

Nisar Ahmad është përgjegjës i Njësisë Kundër Trafikimit të Njerëzve (AHTU) të Policisë së Kashmirit dhe thotë se departamenti i tij ka shpëtuar një numër grash dhe vajzash të detyruara të martohen gjatë viteve. “Por ne jemi në gjendje të veprojmë vetëm kur marrim ankesa formale”, shton ai.

Në janar qeveria lokale filloi forcimin e njësive antitrafik në Kashmir. Por më shumë se dhjetëra viktima me të cilat foli “Al Jazeera” thonë se kanë pak shpresë se situata do të përmirësohet për to ose për të tjerët.

Problemi i vetmisë

Dyzetepesëvjeçari Farooq Ahmad u martua me një grua nga Kalkuta një dekadë më parë. Ai thotë se familja e tij u përpoq të kërkonte një nuse vendëse, por kjo përfshinte shpenzime, si blerja e arit, shtrimi i një gostie dhe pagimi i mehrit - një shumë parash e paguar nga një dhëndër për një nuse në islam. Martesa më e thjeshtë do t'i kushtonte 1500 dollarë, thotë ai, por për të marrë një nuse nga jashtë kushtonte më pak se 300 dollarë.

"Ne jemi të varfër", thotë ai, duke shtuar se më shumë se dhjetëra burra në fshatin e tij kanë paguar për t'u martuar me gra nga shtete të tjera.

Gruaja 30-vjeçare e Farooqit, Sabeena*, thotë se ajo u josh në Kashmir me premtimin e një jete të mirë, por që nuk u realizua kurrë.

“Më thanë se ka para të mjaftueshme dhe ka pemishte me mollë. Por nuk ka asgjë”, ankohet ajo. "Kam përjetuar shumë vështirësi".

Tani Sabeena, Farooq dhe tetë fëmijët e tyre jetojnë në një shtëpi prej balte që i përkiste xhaxhait të Farooqit para vdekjes së tij, vitin e kaluar.

“Nuk kemi askënd këtu, as prindër, as vëllezër e as motra. Edhe nëse jemi të dhunuara, nuk e kemi shtëpinë e prindërve ku të shkojmë”, thotë Sabeena. "Vetmia është më e vështira".

“Nëse ngre zërin, ajo do të më vrasë”

Arsheeda Jan* flet rrjedhshëm gjuhën kashmire me një theks që tregon se nuk është gjuha e saj e parë. 43-vjeçarja është me origjinë nga Kalkuta, por tani jeton në një shtëpi prej druri me dy dhoma në brigjet e lumit Jhelum në periferi të qytetit Srinagar. Sytë e saj mbushen me lot ndërsa përshkruan se si mbërriti në Kashmir më shumë se dy dekada më parë.

Prindërit i vdiqën kur ajo ishte fëmijë, shpjegon ajo, dhe ajo dhe katër vëllezërit e motrat e saj u dërguan të jetonin me të afërmit. "Ne ishim shumë të varfër", thotë ajo.

Kur takoi një grua bengaleze të moshës së mesme, e cila i premtoi një punë në një fabrikë shallesh në Kashmir, Arsheeda pa një mundësi për të fituar para. Ajo ishte 13 vjeçe.

“Ajo më tha se do të më sigurojë një punë në Kashmir dhe ne duhet të bëjmë qëndisje në shall. Nuk e kisha idenë se ku ishte Kashmiri”, kujton Arsheeda.

Ajo nuk u tha vëllezërve e motrave të saj për planin e saj.

Kur arriti në Kashmir, gruaja, e cila ishte vetë e martuar me një burrë nga Kashmiri, e mbajti Arsheedën në shtëpinë e saj për një javë. Gjatë asaj kohe, Arsheeda thotë se ajo i bëri të gjitha punët e shtëpisë me besimin se gruaja do ta ndihmonte të ndërtonte një jetë më të mirë për veten e saj.

“Vazhdova ta pyesja ‘ku është puna?’ Pastaj një ditë mbërritën një burrë dhe babai i tij me një burrë me mjekër, i cili supozohej të më bënte nikah (kontratën e martesës).

Kur Arsheeda qau, kleriku i shpjegoi se nuk mund të martohej me të kundër dëshirës së saj dhe u largua. Por familja gjeti dikë tjetër që ishte i gatshëm ta bënte atë.

“Agjenti më kërcënoi se nëse ngre zërin, ajo do të më vrasë. Isha shumë e frikësuar”, thotë ajo.

Ende vetëm 13 vjeçe, Arsheeda ishte e martuar me një punëtor nëntë vjet më të madh se ajo.

“Kur burri im hyri në dhomën time për herë të parë, unë po dridhesha. U përpoqa të ikja shumë herë, por nuk ia dola. Pastaj mbeta shtatzënë. Hoqa dorë nga ideja se mund të largohem ndonjëherë nga kjo jetë”, thotë ajo.

Arsheeda, e cila tani ka katër fëmijë, nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e saj në Kalkuta që kur u largua.

“Kur kam ndonjë grindje me burrin tim, ai më kërkon të largohem dhe të paguaj paratë për të cilat më ka blerë”, thotë ajo.

Duke treguar një shenjë në ballin e saj, Arsheeda shpjegon: “Burri im më rrah, ndonjëherë edhe më përqesh”.

Kur burri i saj është i dhunshëm, ajo thotë se përpiqet të strehohet në shtëpinë e fqinjëve të saj, por ata nuk janë mikpritës. "Ata e informojnë burrin tim", shpjegon ajo. “Disa fqinjë supozojnë se kam fjetur me shumë burra, kështu mendojnë se kam arritur këtu. Ata nuk e kuptojnë…”.

“Të gjithë më shikojnë ndryshe. Ndihem ende e huaj”.

Ndërsa Arsheeda është përshtatur pa dëshirë me jetën në Kashmir, ajo thotë se kujtimet e saj të fëmijërisë për vëllezërit e motrat e saj janë të gdhendura në zemrën e saj. Asaj i mungon ngrohtësia e Kalkutës gjatë dimrave të ashpër të Kashmirit dhe ndjenja e përkatësisë në një vend dhe në një familje.

"Vrima në zemrën time nuk do të shërohet kurrë", reflekton ajo.

*Emrat e grave dhe fëmijëve të tyre janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.

(Fund)

Përktheu: Forca Jashari

Image
Artikuj të ngjashëm