Meksiko Siti, 23 shkurt – Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe sekretari i Sigurisë Kombëtare, John Kelly ndërmorën një vizitë të ndërlikuar diplomatike në Meksikë pasi premtimet kryesore të fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump bien ndesh me interesat e fqinjit jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tillerson dhe Kelly mbërritën në Meksiko Siti dje në mbrëmje për një sërë takimesh me presidentin meksikan, Enrique Pena Nieto, ministrin e Jashtëm Luis Videgaray, ministrin e Brendshëm Miguel Angel Osorio Chong dhe zyrtarë të tjerë.
Zyrtarët amerikanë, siç transmeton ATSH, nisën bisedimet mbrëmë gjatë një darke me ministrin e Jashtëm meksikan, me atë të Mbrojtjes dhe të Marinës, para bisedimeve më të gjera që do të zhvillohen sot.
Bisedimet pasuan anulimin e një vizite të planifikuar nga presidenti meksikan, Pena Nieto në Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump i qëndroi zotimit të tij për të ndërtuar një mur kufitar përgjatë kufirit jugor të SHBA-së.
“Ne kemi një marrëdhënie shumë të shëndetshme dhe të fortë me qeverinë meksikane dhe zyrtarët meksikanë dhe mendoj se ata ndajnë të njëjtin mendim”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, duke e konsideruar “fenomenale” marrëdhënien mes dy vendeve si dhe vlerësoi dialogun mes tyre.
Fqinjët janë përplasur për tregtinë pasi Trump bërë thirrje për një rinegocim të marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA),si dhe për emigracionin pasi presidenti amerikan u zotua të deportojë miliona emigrantë të paligjshëm, të cilët vijnë kryesisht nga Amerika Latine.
Në fillim të kësaj jave, Kelly ka nisur përgatitjet për dëbimet masive duke udhëzuar agjentët e emigracionit dhe të kufirit që të zgjerojnë objektivat për deportim.