Ka shkuar në 900 numri i të vdekurve, pas tërmetit vdekjeprurës në Afganistan, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë talebane.
Ai ka shtuar se 300 të tjerë të janë lënduar, shkruan AP.
Tërmeti prej 6.0 shkallë të Rihterit goditi provincën Kunar të dielën vonë.
Numri i të vdekurve mund të rritet pasi besohet se shumë njerëz janë të zënë nën rrënoja.
Operacioni i kërkim-shpëtimit është vështirësuar për shkak të terrenit malor, si dhe shumica e rrugëve janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut. Mundësia e vetme për të arritur te të lënduarit është me anë të helikopterit. Të lënduarit po dërgohen në spitalin në Jalalabad, i cili është i stërngarkuar me pacientë edhe para tërmetit.
Të hënën deri natën vonë ekipet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për njerëz të bllokuar nën rrënojat e shtëpive prej dheu e guri.
Talebanët kanë bërë edhe thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
Edhe Sharafat Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Kabul, bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të përballuar shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti.
“Na nevojitet, sepse këtu shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shtëpitë," tha ai.
Tërmeti ndodhi në një kohë kur Afganistani tashmë po vuan nga një krizë e rëndë ekonomike dhe një tërheqje e ndihmës ndërkombëtare, pas marrjes së pushtetit nga talibanët në vitin 2021. Politikat e ashpra të Talibanëve, si ndalimi i arsimit dhe punësimit për gratë, kanë sjellë një rënie të madhe të fondeve dhe asistencës humanitare për vendin.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ekipet ushtarake të shpëtimit janë shpërndarë në të gjithë rajonin, me 40 fluturime që transportuan 420 të lënduar dhe të vdekur.
“Zona e tërmetit u ndikua edhe nga reshje të dendura të shiu në 24 deri 48 orët e fundit, kështu që rreziku për rrëshqitje dhe shembje shkëmbinjsh është gjithashtu mjaft i madh – kjo është arsyeja pse shumë rrugë janë të pakalueshme”, ka thënë për Reuters Kate Carey, zyrtare në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përmes Byrosë për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, ka shprehur ngushëllime në platformën X, por nuk është përgjigjur menjëherë kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do të ofronin ndonjë ndihmë.
Ndërsa, Britania ka shpallur financim emergjent për të prekurit, duke thënë se do të sigurohen që ndihma të mos shkojë për administratën aktuale talibane të vendit.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, ka theksuar se India kishte dërguar 1,000 çadra familjare në Kabul dhe po transportonte 15 tonë produkte ushqimore në Kunar.
Arrin në mbi 1400 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan
Numri i të vdekurve nga tërmeti vdekjeprurës në Afganistan është rritur në mbi 1400, ndërkohë që sipas autoriteteve janë edhe mijëra persona të lënduar, shkruan Reuters.
Të paktën 1411 persona kanë vdekur, 3124 janë lënduar dhe mbi 5,400 shtëpi janë shkatërruar, tha zëdhënësi i administratës talebane, Zabihullah Mujahid.
Tërmeti prej 6.0 shkallë të Rihterit goditi provincën Kunar të dielën vonë.
Numri i të vdekurve mund të rritet, pasi besohet se shumë njerëz janë nën rrënoja. Operacioni i kërkim-shpëtimit është vështirësuar për shkak të terrenit malor, si dhe shumica e rrugëve janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve.
OBSH-ja ka bërë të ditur se sistemi shëndetësor i stërngarkuar dhe shpërndarja e ndihmave në zonat e prekura është njëra nga sfidat më të mëdha.
Britania dhe India janë në mesin e shteteve të cilat kanë ofruara ndihmë.