Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Teoricienët e ‘botës serbe’ dhe shpirti i ngjallur i Milosheviqit, përgjegjës për tensionet në Ballkan”

Ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka komentuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, si dhe krizën politike në Bosnjë-Hercegovinë, duke thënë se nacionalizmi po shfaqet në të gjitha vendet e rajonit dhe me të, edhe pretendimet territoriale.

Ai i ka bërë të gjitha shtetet fajtore nga pak,por Serbinë e ka veçuar si ideatorë të gjithë këtyre telasheve.

“Nuk ka fajtor të vetëm, por mendoj se është e qartë se kush është kryesori. Teoricienët e ‘botës serbe’ dhe shpirti i zgjuar i Milosheviqit janë më përgjegjës për skenën e trazuar politike në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse, duhet thënë se në disa vende të tjera, për fat të keq, ka tendenca në rritje për kundërshtim të vlerave evropiane. Sigurisht, një ndikim të caktuar ka edhe konkurrenca e vazhdueshme globale e fuqive të mëdha dhe më të vogla, për ndikim në Ballkan. Por pa politika agresive nacionaliste lokale, kriza aktuale nuk do të ekzistonte. Sigurisht që nuk duhet nënvlerësuar roli i rritjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjithë Ballkanin, theksoi ai në një intervistë për portalin e Malit të Zi, CDM.

Ideator i “botës serbe” është ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin. Ky projekt është parë si zëvendësim për atë të dështuar tashme, “Serbinë e madhe”.

Josipoviq foli edhe për tensionet në Bosnjë.

“Prej shumë kohësh i shmangem plotësisht komentimit të situatës në Bosnjë dhe rreth saj. Domethënë, politikanët dhe partitë atje, si dhe e gjithë shoqëria, janë aq të përçarë, me pikëpamje drastike të ndryshme për të ardhmen e atij vendi, sa çfarëdo që të thoni, pavarësisht nga qëllimet më të mira, mund të jetë një rast që të përshkallëzohet situata. Bosnja është një vend veçanërisht i dashur për mua. Në kohën e mandatit tim presidencial, ne kishim përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet. Sot situata në Bosnjë është e rëndë dhe nuk dua t'i hedh benzinë ​​zjarrit me asnjë koment”, ka deklaruar Josipoviq.