Ish-zyrtari Edin Vranj është arrestuar nga policia në Serbi të dielën mbrëma në pikëkalimin kufitar midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës bazuar në akuzën se gjatë viteve 1993-1994 ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve të luftës në Gorazhde
Ministria e Jashtme në Bosnjë-Hercegovinë ka tërhequr të hënën për konsultime ambasadoren e vendit në Serbi, Aida Smajiq, lidhur me arrestimin një ditë më parë të ish-zyrtarit të lartë të Shërbimit Federal të Policisë, Edin Vranj, nga policia në Serbi nën akuzën për kryerjen e krimeve të luftës.
Vranj ishte arrestuar të dielën mbrëma në pikëkalimin kufitar midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës bazuar në akuzën se gjatë viteve 1993-1994 ka kryer krime lufte ndaj të burgosurve të luftës në Gorazhde.
Ndërkaq Ambasada e Bosnjës në Beograd është njoftuar zyrtarisht për kapjen e tij gjatë së hënës.
“Ambasada ka kërkuar menjëherë nga organet kompetente që përfaqësuesi i Ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës ta vizitojë shtetasin boshnjak dhe të ofrojë ndihmë dhe mbrojtje ligjore”, është bërë e ditur në njoftim.
Ministrja e Jashtme e BH-së, Bisera Turkoviq, ka udhëzuar të dielën Ambasadën e BH-së në Serbi që “të reagojë menjëherë dhe që nga autoritetet në Serbi të marrë informata zyrtare dhe të plota lidhur me statusin e Edin Vranjit”.
Edhe
Bosnja fton të gjithë ata që e mbrojtën në luftë të mos udhëtojnë në Serbi
Kapja e tij ka rindezur menjëherë tensionet mes dy vendeve, afro tri dekada që pas luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë.
Kabineti i kryesuesit të presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq, ka njoftuar më herët se ambasadori i Serbisë në vend, Aleksandar Gjorgjeviq, ka refuzuar thirrjen për takim në presidencë për diskutimin e çështjes.
Kabineti i Komshiqit ka njoftuar se kjo është hera e parë gjatë 26 vjetëve të fundit që ambasadori i ndonjë vendi në Bosnjë ka refuzuar pjesëmarrjen në një takim në Presidencën e vendit.
Ambasadori serb megjithatë ka mohuar pretendimin, duke e cilësuar atë si dashakeq dhe të destinuar për gjenerimin e pakënaqësive karshi Ambasadës së Serbisë në Sarajevë.
“E respektoj vendin nikoqir. Por kujtoj se mënyra e njoftimeve në qarqet diplomatike është skajshmërisht precize, andaj dhe njihet mirë dhe zbatohet në mënyrë profesionale”, ka theksuar Gjorgjeviq, duke folur për edicionin në gjuhën serbe të Radio Evropa e Lirë. Ndërkaq Ministria e Jashtme në Beograd nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me rastin.
Kryesuesi i Presidencës së BH-së, Komshiq, dhe anëtari i Presidencës, Shefik Xhaferoviq, e vlerësuan të hënën arrestimin e Vranjit si “një prej përndjekjeve të shumta e të kalkuluara ndaj qytetarëve të BH-së, të ushtruara prej autoriteteve serbe në keqpërdorim të parimit të kompetencës universale për procesimin e krimeve të luftës”.
Ministrja Turkoviq ka njoftuar në llogarinë e saj në Twitter se shkaku i rastit Ministria e Jashtme i ka adresuar notë proteste Ministrisë së Jashtme në Serbi.
Kjo ministri ka ngarkuar Edin Vranjin se gjatë periudhës prej janarit të 1993-s deri në tetor të 1994-s, si zyrtar në kampin e Gorazhdes, ka marrë pjesë në maltretimin dhe rrahjen e të burgosurve serbë të luftës, të cilët ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Serbe.
Edhe
MPJD: Pati presion psikologjik ndaj veteranit të UÇK-së të arrestuar në Serbi
Duke folur më herët për REL, vetë Vranj ka deklaruar se është arrestuar në pikëkalimin kufitar Uvac, ndërsa ka shtuar se nuk e di arsyen e arrestimit.
“Jam privuar nga liria për shkak të disa dyshimeve, disa hetimeve në rrafshin e krimeve të luftës, disa dyshimeve për krime të luftës”, ka theksuar ai.