Të punësuarve në shumë pjesë të Irakut u janë dhënë ditë pushimi, pasi temperaturat në shumë pjesë të këtij shteti kanë arritur në 50 gradë celsius, kanë bërë të ditur mediat lokale.
Disa nga qytetet e vendit kryesuan listën e vendeve më të nxehta në botë të enjten, raportoi BBC.
Si rezultat i nxehtësisë përvëluese, të paktën 10 provinca pezulluan punën për shumicën e punonjësve shtetërorë, bëri të ditur Kurdistan24.
Vala e të nxehtit në vend ka vazhduar që nga mesi i korrikut dhe parashikohet të vazhdojë.
Nxehtësia e madhe nuk është e pazakontë në Irak, si një nga vendet më të nxehta në Tokë. Por banorët thonë se kushtet po përkeqësohen.
Në portin jugor të Basrës, ku temperaturat janë veçanërisht të larta, ka nisur një pushim katërditor për punonjësit e shtetit.
Megjithëse zyrat janë të mbyllura për shumë punonjës, shumë thonë se do të vazhdojnë të vuajnë pasi si pasojë e ndërprerjeve të rregullta të energjisë, ajri i kondicionuar shpesh nuk është i disponueshëm.
Edhe
Temperaturat ekstreme në Irak
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.
Iraku është renditur nga OKB-ja si një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike në Lindjen e Mesme.